Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, beson se do të ishte një gabim për Kongresin amerikan vendosja e sanksioneve shtesë ndaj Iranit tashmë, pas negociatave me Teheranin mbi programin e tij bërthamor, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit.
Jen Psaki tha se Kerry, i cili do të zhvillojë një konferencë me dyer të mbyllura mbi Iranin në Komitetin Bankar të Senatit të mërkurën, kërkon një ndërprerje të përkohshme të vendosjes së sanksioneve shtesë mbi Teheranin nga ligjvënësit amerikanë, për t’i dhënë një mundësi diplomacisë.
Irani dhe 6 fuqitë botërore; SHBA-të, Britania, Rusia, Franca, Kina dhe Gjermania; ishin shumë pranë një marrëveshje paraprake bërthamore në fundjavë gjatë bisedimeve të Gjenevës, teksa vendosën t’u rikthehen negociatave më 20 nëntor në përpjekje për të zbutur qëndrimin e ashpër prej 1 dekade.
Izraeli dhe disa qeveri perëndimore i frikësohen Iranit se mund të përdorë programin bërthamor si një mjet për të zhvilluar armët bërthamore, një akuzë që Teherani e mohon. Negociatorët janë duke u përpjekur për një marrëveshje paraprake, që do të kufizonte kapacitetin bërthamor të Iranit dhe do ta kthente programin e tij të hapur ndaj inspektorëve të OKB-së.
Në këmbim, atyre iu është ofruar lehtësimi nga sanksionet, një tolerim që Irani thotë se është i pamjaftueshëm.
Në diskutim është edhe një marrëveshje e përkohshme, – që nënkupton ngrirjen e pasurimit të uraniumit në temperatura të larta, që Irani e përdor si lëndë djegëse për një reaktor kërkimor mjekësor, që gjithsesi mund të shërbejë edhe si material potencial për bombat bërthamore, – për të paktën 6 muaj.
Gjatë kësaj kohe, Irani dhe 6 fuqitë e tjera do të negocionin një marrëveshje përfundimtare, që do të synonte dhënien e sigurisë nga Irani se asnjë aktivitet i tij bërthamor nuk do të devijonte drejt krijimit të bombave bërthamore.
Top Channel