Një gjykatë egjiptiane ka urdhëruar t’i jepet fund gjendjes së emergjencës në vend, dy ditë përpara parashikimeve dhe 3 muaj pas vendosjes së saj gjatë një përplasjeje me protestuesit mbështetës të presidentit të rrëzuar, Mohamed Morsi.
Kabineti qeveritar bëri të ditur përmes një deklarate se do të respektonte vendimin, por do të priste për një njoftim zyrtar nga gjykata, përpara se ta implementonte atë.
Gjendja e emergjencës, e shoqëruar me shtetrrethimin gjatë orëve të natës, pritej të skadonte ditën e enjte. Ajo u vendos pas një mësymjeje të shoqëruar me viktima, nga forcat e sigurisë te kampet e protestuesve të ngritura nga mbështetësit e Morsi-t, i cili u rrëzua nga pushteti prej ushtrisë më 3 korrik, pas protestave masive kundër regjimit të tij.
Emergjenca u lejonte autoriteteve të kryenin arrestime pa paralajmërime dhe t’u jepnin zyrtarëve të sigurisë të drejtën për të kërkuar brenda shtëpive të njerëzve. Fundi i saj nënkupton edhe fundin e shtetrrethimit të vendosur përgjatë orëve 1-5 te mëngjesit.
Megjithatë, sipas korrepondentëve në Kajro, zyrtarët ushtarakë kanë thënë se nuk kanë marrë ende një urdhër ekzekutimi për të hequr shtetrrethimin. “Ata thanë se do t’u duhet të njoftohen zyrtarisht prej kryeministrit, përpara se ta zbatojnë atë vendim”, deklaroi korrespondenti i Al-Jazeera.
Vendimi i gjykatës vjen në një kohë kur protestat vazhdojnë në pjesë të ndryshme të vendit. Të martën, mbështetësit studentë të Morsi-t u mblodhën në universitetin e qytetit Mansoura, në Deltën e Nilit. Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, thanë dëshmitarët.
Top Channel