Drejtuesit e partive të ekstremit të djathtë në Holandë dhe në Francë po diskutojnë për të forcuar marrëdhëniet midis tyre dhe për të udhëhequr një bllok të përbashkët europian.
Euroskeptiku Geert Wilders dhe liderja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen, u takuan këtë të mërkurë, me qëllim krijimin e një blloku të përbashkët brenda “vlerave të njëjta” që këto forca ndajnë.
Si Wilders, ashtu edhe Le Pen pretendojnë se Europa është treguar shumë tolerante ndaj islamit dhe të dy duan të kufizojnë në maksimum emigracionin.
Marine Le Pen, një eurodeputete, mori pjesë në një seancë të Parlamentit Holandez, përpara mbajtjes së një dreke pune me Wilders.
Në qendër të bisedimeve të tyre ishte edhe mundësia e formimit një grupi sa më të gjerë e të përbashkët parlamentar, në zgjedhjet e ardhshme për PE-në.
Për të formuar një grup parlamentar në Parlamentin Europian nevojitet një grup prej 25 deputetësh, ndërsa 18 deputetët e partive të ekstremit europian, për momentin janë të grupuar midis 30 deputetëve të paregjistruar në blloqe të Parlamentit.
Parlamenti Europian përbëhet nga 766 deputetë.
Rritja e niveleve të emigracionit, papunësisë dhe me problemet ekonomike që ka shkaktuar kriza e Eurozonës, mbështetja për partitë e ekstremit të djathtë është rritur dukshëm në disa prej vendeve të kontinentit.
Si rrjedhojë, euroskeptikët pritet të fitojnë më shumë vende se kurrë në Parlamentin Europian, në zgjedhjet që do të zhvillohen në Maj 2014.
Top Channel