Udhëheqësit kinezë shpallën të martën një seri reformash që synojnë të modernizojnë e stimulojnë ekonominë gjatë dekadës së ardhshme.
Në një komunikatë të lëshuar pas një pleniumi me dyer të mbyllura të zyrtarëve më të lartë të vendit premtohej një rol më i madh për sektorin privat në vitet e ardhshme.
Një komitet i ri do të formohet, në mënyrë që të kontrollojë veprimtarinë e sigurimit të brendshëm, efektivët e të cilit shpesh janë akuzuar për trajtim në kundërshtim me konventën e të drejtave të njeriut ndaj të ndaluarve.
Fermerëve do t’i jepen gjithashtu më shumë të drejta mbi tokën.
Sipas “BBC”, ajo që do të jetë më e vështirë është udhëzimi i burokratëve të niveleve të ndryshme që të zbatojnë këto reforma, kur për dekada janë udhëzuar që të veprojnë ndryshe.
Një listë e plotë e të gjithë detajeve të parashikuara në këtë reformë madhore do të publikohet në ditët në vazhdim.
Ndonëse në Kinë, një shtet një-partiak me 1,3 miliardë banorë, lejohet iniciativa private, pronësia shtetërore vazhdon të jetë një gur themeli e ekonomisë së dytë më të madhe të botës.
Top Channel