Kerry: Do të shfrytëzojmë çdo mundësi me Iranin

12/11/2013 05:10

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka mbrojtur lëvizjet për të arritur një marrëveshje bërthamore me Iranin dhe ka thënë se “lufta duhet të jetë zgjidhja e fundit” për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

“Nëse do të na duhej të ktheheshim te opsioni ushtarak, për shkak se nuk do të na mbetej asnjë zgjidhje tjetër, ne duhet t’i tregojmë botës se kemi shfrytëzuar çdo mjet dhe mundësi të mundshme”, tha Kerry për reporterët në Abu Dhabi, të hënën.

Teksa thoshte se një marrëveshje me Iranin pritet brenda disa muajsh, Kerry u përpoq të siguronte aleatët arabë të Ëashington-it dhe Izraelin se vendi i tij nuk do t’i braktisë ata.

Ai mohoi raportimet për grindje mes fuqive dhe sugjeroi se Iranin nuk ishte i gatshëm të pranonte planin në atë moment.

“P5+1 (pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurisë në OKB plus Gjermaninë) ishin të unifikuara gjatë së shtunës, kur ne u prezantuam propozimin tonë iranianëve. Por, Irani nuk mund ta pranonte atë, thjesht sepse nuk ishte momenti i duhur për ta pranuar”, tha ai.

Komentet e tij vijnë teksa Franca tha se fuqitë botërore ishin shumë pranë një marrëveshjeje me Iranin sa i përket programit bërthamor të këtij të fundit, pavarësisht dështimit për ta arritur atë në bisedimet e rëndësishme në Gjenevë, gjatë fundjavës së kaluar.

“Nuk jemi shumë larg arritjes së një marrëveshjeje, por ende nuk e kemi arritur atë”, tha ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius.

Tregtia Iran-SHBA, fajtore për mungesën e marrëveshjes?

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar njëri-tjetrin për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje për kufizimin e pasurimit të uraniumit nga Irani, në këmbim të lehtësirave të sanksioneve të Perëndimit, në bisedimet e Gjenevës.

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, kritikoi të hënën deklaratat e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, që fajësonte Iranin për mungesën e marrëveshjes dhe tha se “deklaratat konfliktuale” të amerikanëve shkatërruan besimin në proces.

“Deklaratat konfliktuale dëmtuan kredibilitetin e atij që mban pozita të ndryshme dhe shkatërron konfidencën. Qëllimi i dialogut është të reduktohet mungesa e besimit. Bisedimet konfliktuale nuk i japin besim personit që i bën ato”, tha Zarif në një bashkëbisedim te një televizion iranian.

Ai tha se u bë “progres i konsiderueshëm” gjatë bisedimeve treditore në Gjenevë, por deklaroi se shumica e orëve u kalua duke folur me SHBA-të, Rusinë, Kinën, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë në përpjekje për “të zgjidhur diferencat mes vet atyre”.

Ministri i Jashtëm iranian tha se ai mbetet ende me shpresë për arritjen e një marrëveshjeje, por këmbënguli se çdo akord i tillë duhet të përfshijë heqjen e sanksioneve të Perëndimit ndaj Iranit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA