Francë, vërshëllejnë Hollande, arrestohen

12/11/2013 02:10

Policia franceze ka arrestuar të paktën 70 persona në një ceremoni përkujtimore të Ditës së Armëpushimit, pasi protestues, të cilët qeveria thotë janë të lidhur me ekstremistët e djathtë, vërshëllyen presidentin Francois Hollande.

Spikerët e mediave thanë se kjo ishte hera e parë që një kryetar shteti francez është vërshëllyer më 11 nëntor, datë kjo që përkujton nënshkrimin e armëpushimit në 1918 mes aleatëve të Luftës së Parë Botërore dhe Gjermanisë.

Përleshje pati mes policisë dhe protestuesve, teksa autokolona e presidentit socialist po kalonte në bulevardin e “Champs-Elysees” drejt Monumentit të Ushtarit të Panjohur, poshtë Harkut të Triumfit në qendër të Parisit.

Disa prej protestuesve thërritën “Hollande, dorëhiqu” dhe “Diktatori socialist”.

Ministri i Brendshëm, Manuel Valls, tha se mes protestuesve kishte anëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë, që kundërshtojnë politikat e qeverisë siç është martesa mes homoseksualëve.

“Sot në Champs-Elysees, dhjetra individë të lidhur me ekstremin e djathtë nuk donin të respektonin momentin e meditimit dhe grumbullimit”, tha Valls për reporterët, duke i përshkruar veprimet e tyre si “të papranueshme”.

Një protestuese tha për BFM-TV se vërshëllimat dhe talljet thjesht kishin për shënjestër Hollande.

“E konsideroj absolutisht të turpshme faktin që na mohohet e drejta për të folur, pa u arrestuar”, tha gruaja. “Nëse themi Hollande dorëhiqu, kjo nuk përbën një sulm. Kemi përshtypjen se ai nuk na dëgjon, ndaj dhe na duhet vetëm të protestojmë”, tha ajo, pa specifikuar se përse donte që presidenti të jepte dorëheqjen.

Një sondazh i CSA-së i publikuar të premten tregon se popullariteti i Hollande, i goditur nga ekonomia e sëmurë, taksat e larta dhe çështje të tjera, është në nivelin më të ulët që ka pasur një president që prej themelimit të Republikës së 5-të të Francës, 55 vite më parë.

Protestat detyruan Hollande të jepte shpjegime për planet e rritjes së taksave, përfshi atë ndaj kamionëve të rëndë, që mobilizoi qindra njerëz në rajonin perëndimor të Brittany-së. Hollande e ka shtyrë përkohësisht ligjin, por nuk tërhiqet prej tij.

Valls tha se protestuesit e së hënës përfshinë anëtarë nga Fronti Kombëtar i ekstremit të djathtë, që ka parrë një rritje të popullaritetit të saj për shkak të pakënaqësisë së përhapur të publikut, në prag të zgjedhjeve bashkiake dhe atyre europiane, të përcaktuara për vitin e ardhshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA