Pse Berishizmi diskretiton protestën për votën

09/11/2013 00:00

Andrea Stefani – E kemi parathënë se Sali Berisha, dhe për rrjedhojë
edhe Lulzim Basha, do viheshin në kërkim të një rasti që do t’u
shërbente si pretekst për t’i nxjerrë mbështetësit e tyre në rrugë. Dhe e
gjetën më në fund te  skandali i Korçës i investiguar nga “Fiks Fare”.

Dy janë shkaqet për këtë gjakim “protestant”. I pari ka të bëjë me faktin që protestat dhe destabilizimi politik janë parë tradicionalisht nga Berisha, sa herë që është ndodhur në opozitë, si një mjet efikas për të obstruktuar funksionimin e drejtësisë dhe çdo përpjekje të saj për të ndëshkuar krimet dhe korrupsionin e qeverisjeve të tij. Kështu ndodhi në vitet ’97-’98 kur PD u hodh në protesta pas arresti mit të “të gjashtëve”, kështu po ndodh edhe tani kur shumëkush pret që “gijotina” e drejtësisë të presë disa koka të qeverisjes së djeshme. Shkaku i dytë ka të bëjë me mënyrën e funksionimit të PD që është krijuar në miting dhe shuhet pa mitingje e protesta. Ndërkaq, vetë Berisha dhe Basha refuzojnë të pranojnë të vërtetën e hidhur se pikërisht qenia e tyre në krye të protestave për votën e lirë, i diskrediton ato duke i dënuar të ndiqen vetëm nga masa të skllavëruara fanatikësh, por jo qytetarësh liridashës.

Berisha me gojën e Bashës po kërkon të pamundurën. Kumbari i manipulimit dhe vjedhjes së votës në Shqipëri, po kërkon të riciklohet si luftëtar për votën e lirë! Skandali i Korçës, ku aktivistë të PS u panë të shpërndajnë lekë për aktivistë të FRESH është, pa asnjë ekuivok, i dënueshëm. Ligjërisht dhe moralisht. Asnjë parti nuk ka të drejtë të financojë, qoftë edhe bileta udhëtimi për në kutinë e votimit. Tolerimi, edhe me pretekstin se “vetëm udhëtimin i paguam”, i hap derën lloj-lloj pazaresh që cenojnë rëndë lirinë e votës. Ligji, drejtësia duhet të japë sa më urgjentisht ndëshkimin për atë që ka ndodhur në Korçë. Ndërkaq, 2 mijë lekëshat e FRESH nuk kanë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në Korçë sepse, sikundër pohoi edhe vetë Basha, trendi dihej. Thënë këtë, duhet të nënvizojmë se skandali i Korçës nuk mund dhe nuk duhet të shërbejë si një “lavatriçe” ku vjedhësit klasikë të votës në PD, të dalin befas si luftëtarë për lirinë e asaj. Është njësoj sikur qenin e tërbuar që nis të shqyejë kopenë, bariu ta zëvendësojë me ujkun edhe pse e di që ai e ka në gjen shqyerjen e bagëtisë. Me votën e lirë nuk mund të luash si me Filip Çakulin që kur të nxjerr të palarat e quan çakall dhe kur i nxjerr të palarat kundërshtarit tënd, e falënderon. Votën e lirë e mbrojnë vetëm ata që e duan. Ata që e kanë vjedhur në pushtet do ta mbrojnë në opozitë vetëm për ta vjedhur përsëri nëse vijnë në pushtet.

 

***

Basha thotë se ngjarja në Korçë është pa precedent. Nuk ka shqiptar që nuk e di, madje edhe Basha vetë (provë kjo e hipokrizisë së tij), se vjedhja e blerja e votës është precedenti më i rëndomtë që me nisjen e tranzicionit në Shqipëri. Është kjo traditë kriminale dhe vrasëse për demokracinë, që duhet të na bëjë më në fund të kuptojmë se edhe politikani që është trazuar në korrupsion dhe vjedhje votash, është si ai kurrizoja që vetëm varri ia drejton shpinën. Berisha ua ka mësuar shqiptarëve vjedhjen e votës ndaj, t’ia besosh atij kauzën e mbrojtjes së votës, është t’i vësh mëlçitë ujkut në qafë. Mbi 23 vjet e provojnë sa konsekuent dhe i pandryshueshëm është Berisha në këtë rrafsh. Me sa duket edhe Basha, i cili, qenien në krye të Bashkisë së Tiranës, ja dedikon pikërisht një manipulimi të turpshëm ku u përfshinë edhe institucione të kapura nga pushteti i Berishës.

 

***

U lodhën disa kolegë gazetarë ta bënin Bashën të kuptonte se protesta në mbrojtje të votës, që të jetë e besueshme nga qytetarët, duhet të inspirohet nga politikanë që janë divorcuar nga e kaluara e turpshme e manipulimit të votës. Por më kot. U përpoqën t’i argumentonin Bashës se të paguash 200 euro për biletën e avionit të atij që ftohet të votojë PD është, në thelb, e njëjtë me atë që ndodhi në Korçë. Por Basha nuk donte të dëgjonte. Ai nuk donte të pranonte se ajo që u pa me zë dhe me figurë në rrugën “Myslym Shyri” në zgjedhjet e 23 qershorit, ishte e njëjtë me atë që ndodhi në Korçë. Madje, blerja e votës është me e drejtpërdrejtë kur i fal ushqime dikujt si shpërblim për votën, sesa kur i paguan vetëm rrugën. Është blerje e votës me “klering”. Megjithatë, të dyja janë blerje vote. Por Basha këmbënguli që ndryshojnë ndonëse, nuk shpjegoi që nuk e shpjegoi se ku ndryshojnë. Sepse, në fakt, nuk ndryshojnë.

 

***

Përse Basha këmbëngul ta bëjë Korçën “tra” në një kohë që traun prej mbi dy dekadash të manipulimit të votës nga Berisha, e trajton të parëndësishëm si një qime? Sepse po të hedhë poshtë të kaluarën kriminale të PD në këtë rrafsh do detyrohet të hedhë poshtë Berishën. Dhe po hodhi poshtë Berishën, do hedhë poshtë vetveten. Një tjetër dinamikë që na provon edhe njëherë se “Basha është Berisha”. Është ky shkaku që edhe këtë herë, Basha e mburri Berishën si një “kapacitet potencial” megjithëqë Berisha i ka shprehur tani të gjithë potencialet e veta. Basha nuk e hedh dot poshtë Berishën, sepse është Berisha që e ka futur në politikë dhe së dyti PD e Bashës, është si një mullar që ka për strumbullar kultin e Berishës. Hiqi këtë kult antidemokratik dhe PD shpërbëhet.

 

***

Që disa socialistë, si ata që gatuajnë pisllëqe si ai i Korçës, nuk e kanë kuptuar mesazhin e 23 qershorit kjo shihet. Por as Basha e K nuk e kanë kuptuar se vota 1 milionëshe kundër, ishte votë kundër berishizmit. Ajo është prova se shumica e shqiptarëve e kanë kuptuar se autokrati Berisha, mishëron traditën më të zezë të këtyre 20 viteve tranzicion. Se ky produkt i Katovicës ramiziane, ky komunist që s’u bë dot kurrë antikomunist i vërtetë, përvetësoi në formën më të urryer të kulteve diktatoriale, lavdinë e përmbysjes së komunizmit dhe diktatorit në Shqipëri, kultin e pamerituar të sjellësit të demokracisë, ndërsa të gjithë e dinë se komunizmi në Shqipëri erdhi nga Lindja dhe u shemb pasi u shemb në të gjithë Lindjen. Shumica e shqiptarëve ka kuptuar se me Berishën lidhen të gjithë peripecitë e demokracisë në Shqipëri dhe incidentet, krizat e traumat që kanë zvarritur për 23 vjet integrimin me Europën, duke nisur me vjedhjen e votës në 6 maj ’96, autokratizmin dhe kapjen e të gjitha pushteteve, me krizat që ai pjell si piramidat financiare, kolapsin e shtetit dhe thuajse futjen e vendit në konflikt civil në vitin ’97, grushtin e shtetit në vitin 98, korrupsionin me supertragjeditë e tij në Gërdec e deri me vrasjen e protestuesve në 21 janar. Këto janë piketat e karrierës së Sali Berishës dhe të jesh krenar për to sikundër deklarohet Lulzim Basha, do të thotë të pohosh hapur se je kundër demokracisë dhe votës së lirë. Pa distancimin nga tradita autokratike që u bë varri i votës së lirë, protestat për votën e lirë janë një hipokrizi. Tashmë, jo vetëm nga kritikët klasikë të Berishës, po dalin zëra edhe nga vetë radhët e PD, se pa distancimin e PD nga Berisha dhe tradita e tij autokratike, kjo parti do grumbullojë rreth vetes vetëm turmat në rrudhje të fanatikëve të kultit të Berishës dhe jo masa të gjera shqiptarësh që në ardhmëri do të aspirojnë natyrshëm rotacionin e pushtetit. Një handikap që mban hapur çështjen e rinovimit të opozitës.

Gazeta “Shqip”

Top Channel