Max Mosley fiton betejën me Google

09/11/2013 00:00

Ish-drejtori ekzekutiv i Formula 1, Max Mosley fitoi betejën gjyqësore me gjigantin e internetit, Google për publikimin e imazheve “sikletosëse” për të.

Një vendim i një gjykate në Paris i dha të drejtë Mosley-t dhe fajësoi Google për dështim në ndalimin e publikimit të fotove ku Mosley shfaqej i veshur me uniformë nazisti.

Skandali shpërtheu kur fotot u publikuan fillimisht në tabloidin britanik, të mbyllur tashmë, “News of the World”. Në to Mosley shfaqej në shoqërinë e pesë prostitutave i veshur me uniformë naziste. Në 2008-ën, Mosley paditi dhe fitoi gjyqin ndaj tabloidit britanik për shkelje privatësie.

Por megjithatë, fotot e sikletëshme të tij vazhduan të qarkullonin në internet. Për këtë ai paditi Google. Më 6 nëntor të këtij vitit, vendimi i gjykatës franceze i dha të drejtë ish-kreut ekzekutiv të Formula 1 dhe urdhëroi motorin kërkimor që të ndalë publikimin e këtyre fotove nga palë të treta.

“Jam i lumtur që gjykata më dha të drejtë këtë javë. Kur shikon qindra dosje e dokumenta të paraqitur nga avokatët e Google mendon se cështja është e komplikuar. Por jo. Është e thjeshtë. Kjo nuk ka të bëjë me lirinë e fjalës, por me zbatimin e ligjit”, komentoi Mosley vendimin e gjykatës në Paris.

Megjithatë ekspertët paralajmëruan efektin e kundërt të vendimit të gjykatës. Sipas tyre, ky vendim vendos sërish në qendër të vëmendjes ish-kreun ekzekutiv të F1 dhe rrit interesin për të parë fotot e tij, të cilat edhe nëse bllokohen përfundimisht nga Google, mund të gjenden në motorët e tjerë kërkues në internet.

73-vjeçari Max Mosley, i lindur në Britani më 13 prill 1940, drejtoi Formula 1 nga 23 tetori i vitit 1993 deri më 23 tetor të 2009, kohë kur u pasua nga Jean Todt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB