Vukovari, qyteti-martir i Kroacisë në kufi me Serbinë, ka zgjedhur
kroatishten si gjuhë zyrtare përveç alfabetit latin. Një vendim ky, që
nxjerr jashtë loje gjuhën serbe dhe alfabetin cirilik, që ka shkaktuar
reagimin e Beogradit, që e ka quajtur një nismë diskriminuese ndaj
pakicës serbe të pranishme në qytet.

Slavka Drashkoviç, shefe e Zyrës qeveritare për diasporën, i ka bërë apel qeverisjes në Zagreb që të ndërhyjë për të mundësuar zbatimin e ligjit kroat, që parashikon përdorimin e dygjuhësisë në lokalitetet ku pakicat përbëjnë të paktën një të tretën e banorëve.

“T’i mohosh komunitetit serb të drejtën e përdorimit të gjuhës së tij nuk është zgjidhja e përshkallëzimit të tensionit në Vukovar. Përkundrazi, masa rrit më shumë ndjenjën e pasigurisë mes serbëve në qytet”, ka deklaruar Drashkoviç.

Në Këshillin Bashkiak kanë votuar në favor të heqjes së gjuhës serbe 13 këshilltarë të partive kroate HDZ dhe HSP AS, si dhe një i pavarur, ndërkohë që këshilltarët serbë të SDSS janë shprehur kundër, ndërsa kanë abstenuar socialdemokratët e SDS.

Prej muajsh Vukovari është në qendër të një debati me autoritetet e pushtetit qendror në Zagreb për ligjin mbi pakicat dhe dygjuhësinë, që në fakt parashikon që në gjithë Kroacinë të vendosen tabela me të dyja gjuhët në ato lokalitete ku pakica përbën një të tretën e banorëve.

Por veteranët e luftës dhe një pjesë e mirë në Vukovar vlerësojnë se qyteti, i cili u rrafshua i tëri nga serbët gjatë luftës së viteve ’90, nuk mund të konsiderohet i barabartë me të tjerët. Sipas tyre, serbishtja dhe gërmat cirilike të kthejnë në mend tragjeditë dhe masakrat e konfliktit dhe për këtë qyteti duhet të përjashtohet nga ligji kombëtar.

Në shumë raste janë shkatërruar tabelat udhëzuese në gjuhën serbe në ndërtesat publike dhe në tabelat rrugore. Gjithësesi, qeveria është e palëvizshme në qëndrimin e saj dhe vlerëson se, pavarësisht statusit të veçantë të Vukovarit, qyteti nuk mund të dalë kundër ligjit.

Top Channel