“Mbi podium kaloi një ciklion, Shqipëria…Ai ishte i lehtë si era, por nën këmbët e tij dridhej toka… Në asnjë vend të Europës sot nuk ka mundësi të dëgjosh e shikosh këngë e valle popullore kaq spontane e të gjalla e në të njëjtën kohë kaq tradicionale.”

Me këto fjalë gazeta franceze “La Depeches” nis artikullin me titull “Jashtë bie shi, kurse në skenën e teatrit tonë po shndrit një diell”. Gjithçka i kushtohej Ansamblit Popullor Shqiptar i cili në shtator të vitit 1970 mori Gjerdanin e Artë. Por, historia e baletit shqiptar është më e vjetër. Në vitin 1950 u themelua Grupi i Valleve i Filarmonisë Shqiptare, ndërsa shtatë vjet më vonë ky grup u nda duke krijuar Ansamblin e Valleve Popullore dhe Teatrin e Operas dhe Baletit.

Panajot Kanaçi ngjiti në skenë baletin e parë shqiptar “Halili dhe Hajrija”. Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm e ndër krijimet më perla është “Vallëzimi i shqipeve”, një kërcim ku tek valltari dominon krahëhapja ashtu sikurse shqiponja në fluturim.

Agron Aliaj është një tjetër korife i koreografisë. Baletmaestri i njohur interpretoi gjithmonë në rolet e para. Ai ishte një nga profesorët që për vite me radhë nxori talente të baletit shqiptar.

Një displinë e veçantë e kërcimit janë edhe vallet popullore. E këtu nuk mund të harrohet valltari i shqipeve, Besim Zekthi. I konsideruar si një shqiponjë në skenë, ai është korife i vallëzimit shqiptar. Një çift që ende vazhdon të mrekullojë me vallet shqipe është Liljana Cingu dhe Rexhep Celiku. Me një bukuri të rrallë dhe një kërcim që duket sikur fluturojnë, ata janë një aset i paçmuar i valleve tona.

Janë të shumtë ata profesionistë që jetën e tyre ia kushtuan artit të kërcimit. Disa nuk jetojnë më e disa të tjerë janë në kulmin e karrierës. Nuk mund të lëmë pa përmendur atë që sot drejton Teatrin e Operas dhe Baletit, Ilir Kernin, Albana Sulejmani e Ludmill Cakali, e po ashtu Gerdi Vaso e Enada Hoxha, balerinën e parë në TOB Elona Nallbani. Ezdalin Gorani, drejtuesi i trupës së baletit në Top Chanel është një tjetër emër që sot shkëlqen.

Por, janë të shumtë edhe ata që pasionin për baletin e ushqejnë jashtë atdheut. Ambeta Toromani, e diplomuar në Akademinë e Arteve, suksesin e nisi në Shqipëri, por ylli i ndriti në Itali. Eno Peçi, një tjetër balerin i njohur që në vitin 1998 si shumë artistë shqiptar u largua nga vendi dhe u bë i suksesshëm në qytetin e valsit dhe vendin e muzikës shekullore, në Vjenë.

E ftuar në studion e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’, Lili Cingu deklaroi se sakrifica ka qenë çelësi i suksesit të saj: “Me punë arrihet gjithçka. Në atë kohë punonim shumë dhe kërkesat ishin të larta. Sakrifica dhe puna na kanë dhënë medalje në aktivitete edhe jashtë shtetit.”

Në lidhje me format e saj të shkëlqyera trupore, valltarja tha: “Ha shumë pak dhe bëj ende aktivitet fizik.”

Isida Mollaymeri: Baleti, jeta ime

Rend çdo ditë për të kapur ritmin e përhershëm, që në rastin e saj është i tejmbushur. Kjo është Isida Mollaymeri, balerinë e trupës profesioniste në TKOB.

Cdokush e di, arti kërkon sakrifica e për Isidën sfida nis që me gjumin e mëngjesit për të arritur me përpikmëri orën 8, atëherë kur duhet të nisë edhe dita e saj e punës. Në orën 9 fillon nxemja, në 10.30 provat, pak pushim në drekë, pastaj vrap në një tjetër angazhim profesional që ajo ka ndërmarrë për ta mbyllur ditën sërish me prova apo shfaqje në teatër.

“Jam gjithë kohës në prova dhe në teatër. Do ishte mirë të merrja krevatin në punë dhe të flija këtu”, thotë balerina.

Isida është 26 vjeç, por rrugën e baletit e ka nisur kur ishte një fëmijë, vetëm 5 vjeç. Familja e regjistroi në “Pallatin e Pionierëve”, por ajo e kuptoi që baleti ishte ëndrra e saj vetëm kur shkeli skenën për herë të parë në një shfaqje për fëmijë: “Isha e bindur që doja të bëhesha balerinë.”

Talenti i saj e çoi shumë shpejt në rrugën e suksesit. Ajo u afrua pranë Teatrit të Operas nga mjeshtri Agron Aliaj, kur ishte 14 vjeç: “Në fillim isha shumë e vogël, nuk isha cënim për asnjë dhe ky ishte një hap i mirë për mua.”

Prej atëherë, karriera e saj mori udhën e mbarë. Por, balerina e TKOB thotë se nuk ka qenë gjithmonë e lehtë për të: “Shumë herë kam dashur ta lë pasi ishte një lodhje shumë e madhe dhe mundim shpirtëror. Ndonjëherë nuk të japin atë që meriton dhe demoralizohesh nga padrejtësitë. Nuk e kam lënë vetëm prej fjalëve të pedagogëve të mi.”

Isida thotë se ky profesion e ka shpërblyer në mënyrën më të mirë pasionin dhe punën këmbëngulëse. Megjithëse edhe ajo ka sakrifikuar shumë për baletin: “Më ka marrë lojërat fëminore. Mbaj mend që edhe një palë patina që m’i bleu motra, babai i hodhi pasi nuk donte që unë të vrisja këmbët me to. Gjithsesi, jam e lumtur pasi nga ana tjetër baleti më ka dhënë gëzime që ndoshta fëmijët e tjerë nuk i kanë provuar.”

E nëse në fëmijëri Isida i këmbeu lojërat me baletin, tashmë që është në majë, kërkon të gjejë pak kohë për të argëtuar veten. Menjëherë pas provave, në pushimin e drekës, atë mund ta gjesh thuajse çdo ditë në pistën e hipizmit duke kalëruar.

Ka dhënë shumë për baletin, por ka marrë shumë më shumë prej tij. Ka pasur ditë kur moralisht është dorëzuar e pastaj ka gjetur forca të ringrihet sepse tek e fundit arti i të kërcyerit dhe skena janë ëndrra e saj e madhe.

“Mua më pëlqen të bëj atë që unë di mirë të bëj. Nuk e shoh dot veten në një tjetër profesion përveç asaj të balerinës.”

Top Channel