Humbja e parë sezonale për Milanin në Champions League. Duket si diçka e parëndësishme, nëse do të ndodheshim në rrethana të tjera, kur dihet se kuqezinjtë shfaqen shumë të fortë në Europë dhe një humbje ndaj Barcelonës do të konsiderohej normale.
Por, kjo humbje e fundit, 3-1 në “Camp Nou”, vjen në vazhdën e rezultateve negative të këtij sezoni për “djallin”, që nuk po arrin të shohë dritë në fund të tunelit.
Gjenden në disavantazh në minutën e 30, kur Messi realizon një 11-metërsh, të fituar nga Neymar për shkak të një mbajtjeje në zonë nga Abate. Në minutën e 40 Busquets dyfishon rezultatin, pas një gjuajtjeje me kokë, por në pozicion jashtë loje.
Edhe pse në pjesën e dytë Kakà detyron Pique të shënojë në portën e tij, duke ngushtuar diferencën e golave, dhe në fushë hidhet edhe Balotelli, ai që shënon është sërish Messi në minutën e 83, duke mbyllur ndeshjen në 3-1.
Barca është me një këmbë drejt 1/8-ave, me 10 pikë në grup, ndërsa Milan numëron vetëm gjysmën e atyre të katalanasve, i ndjekur nga Ajaksi me 4 pikë dhe Celtic me 3. Në ndeshjen e Holandës, ekipi nga Amsterdami ka fituar ngushtësisht ndaj skocezëve 1-0, falë golit të Schone.
Një ndeshje tjetër e rëndësishme ishte ajo në Gjermani, mes Dortmundit dhe Arsenalit, teksa “topçinjtë” arrijnë t’i kthejnë reston gjermanëve, për atë humbje të shkaktuar në “Emirates” dy javë më parë. Në “Signal Iduna Park”, të besuarit e Arsene Wenger kanë triumfuar 1-0 dhe hero i tyre është një nga talentët më premtues në Angli, Aron Ramsey.
Një humbje që rrezikon shumë gjëra për Dortmundin, teksa tashmë ish-finalistët e sezonit të kaluar ndodhen në vendin e 3 në grup, 3 pikë më pak se Arsenal dhe Napoli. Italianët kanë arritur të dalin me 3 pikë nga sfida në “San Paolo”, edhe pse hasën shumë vështirësi ndaj Marsejës.
Marsejezët kalojnë të parët në avantazh, me anë të Ayew, por brenda pjesës së parë vjen edhe përmbysja e ekipit të drejtuar nga Benitez. Inler dhe Higuain, autorët e dy golave brenda 3 minutave (22’ dhe 24’). Megjithatë, në të dytën është sërish Marseja që gjen golin, me anë të Thauvin, por argjentinasi Higuain çon në delir të pranishmit në “San Paolo” vetëm 15 minuta nga fundi.
Ka fituar edhe Chelsea i Mourinho-s, 3-0 përballë Schalke 04 në Londër. Dy gola nga Samuel Eto’o dhe një i shënuar nga Demba Ba, bëjnë që “blutë” londinezë të shkëputen në krye të grupit me 9 pikë, 3 më shumë se “blutë mbretërorë” të Gjermanisë.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Bazeli arrin të marrë një barazim 1-1 vetëm në minutat e fundit shtesë, pasi Steaua Bukuresht kishte kaluar në avantazh që në pjesën e parë me anë të Piovaccari-t. Autor goli për zvicerianët: Sio. Bazeli gjendet në kuotën e 5 pikëve, ndërsa Steaua vetëm 2.
Ka siguruar kualifikimin për më tej Atletico Madrid, që në Spanjë ka luajtur “poker” ndaj debutuesve të Austrisë së Vjenës. Miranda, Garcia, Filipe dhe i përhershmi Diego Costa janë shënuesit në këtë takim, teksa braziliani i natyralizuar spanjoll humbi edhe 1 penallti në pjesën e dytë. Plot 12 pikë numërojnë spanjollët, me 4 fitore në 4 ndeshje.
Mbetet për t’u vendosur vendi i dytë i këtij grupi, i cili mbahet momentalisht nga Zenit St Petersburg, i cili u ndal në barazim 1-1 me Porton, në ndeshjen e parë të kësaj nate. Gonzales shënoi fillimisht për portugezët, por ish-sulmuesi i tyre, tashmë te rusët e Spalleti-t, Hulk barazoi shifrat në pjesën e parë dhe mund t’u kishte dhënë fitoren të tijve në të dytën, por gaboi nga 11-metërshi.
Top Channel