Pesë prej komunave që rrethojnë Tiranën i kërkuan Këshillit Kombëtar të Territorit që të tërheqë vendimin që ndalon pushtetin lokal të japë leje ndërtimi.
Në një deklaratë të përbashkët, kryetarët e komunave Kashar, Farkë, Paskuqan, të Partisë Demokratike, dhe Dajt e Vaqarr, të Partisë Socialiste, konstatuan se vendimi i KKT-së përbën një shkelje të rëndë të autonomisë vendore.
Sipas kryetarëve të 5 komunave, pretendimi i qeverisë qendrore se vendimi mbron Kurorën e Gjelbër të Tiranës, nuk qëndron pasi sipas tyre, Kurora mbrohet nga planet rregulluese të këtyre komunave. Drejtuesit e pushtetit lokal thonë se planet e komunave të tyre janë miratuar kohë më parë nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Kryetarët e 5 komunave thonë se, nëse KKT-ja nuk e tërheq vendimin që ndalon pushtetin lokal të japë leje ndërtimi, ata do t’i drejtohen Gjykatës Administrative dhe Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar vendimin, që sipas tyre bie ndesh me Kushtetutën, me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, si dhe me Kartën Europiane për Autonominë Lokale.
Top Channel