Monopolet në kurriz të qytetarëve

05/11/2013 00:00

Në vitin 2010, Shqipëria transferoi shërbimin e parë tatimor tek një kompani private, atë të pullave fiskale.
Kjo ishte marrëveshja e parë që i hapi rrugën koncesionimit në seri të shërbimeve publike si monopole tek privatët.

Menjëherë pas pullave, Ministria e Financave dha me koncesion shërbimin e skanimit, atë të kontrollit të karburanteve dhe një sërë shërbimesh të tjera.

Sot kostoja totale që qytetarët paguajnë për to është rreth 100 milionë euro në vit, ose gati 1 për qind e Prodhimit Kombëtar.

“Nga njëra anë kemi një informalitet në shifra të frikshme dhe nga ana tjetër kemi një shpërdorim në shifra të frikshme i shërbimeve publike”, thote Nikolin Jaka, kryetar i Dhomes se Tregtise ne Tirane.

Së fundmi, Qeveria e re shtoi edhe një tjetër, atë të asistencës së doganave, që ju dha përmes një marrëveshjeje të mbyllur kompanisë britanike “Crown Agents” për 4.25 milionë euro në vit.

“Akoma vazhdohet me procedura të tilla. Biznesi kërkon transparencë realisht për çdo procedurë që mund të bëjë Qeveria, ashtu si në procedurat që mund të bëjë, ashtu edhe në zbardhjen e procedurave të paligjshme, që ka bërë Qeveria e mëparshme”, tha Jaka.

Këto para shkojnë në llogaritë e kompanive të huaja, pa kryer asnjë investim në Shqipëri. Por biznesi thotë se veç kësaj, koncesionet kanë dështuar edhe në përmirësimin e shërbimeve apo uljen e korrupsionit.

“Ne shohim me keqardhje që jo vetëm që nuk kemi parë një përmirësim të demostruar, qoftë nga kompania që ka marrë koncesionin apo nga Qeveria që i ka dhënë koncesionet, për të bërë edhe demostrimet dhe cfarë ‘feedback-u’ ka sjellë te biznesi, për këto shërbime që janë dhënë”, theksoi Jaka.
    
Nikolin Jaka thotë se kjo situatë është e papranueshme dhe propozon dy rrugë. E para është anulimi i atyre koncesioneve që janë dhënë kundër ligjit.

“Nga ana tjetër kemi një heshtje të Qeverisë aktuale, për atë taksë që ne kemi propozuar, lidhur me taksën e rentabilitetit, pasi kemi kompani të cilat lundrojnë në fitime të sigurta dhe paguajnë po tarifën 10 për qind. E kemi kërkuar dhe vazhdojmë kërkojmë që të kemi një taksë rentabiliteti për të gjitha koncesionet monopole, sidomos për koncesione që jepen me shërbime publike”, tha Jaka.

100 milionë euro në vit, që qytetarët paguajnë aktualisht vetëm për koncesionet e shërbimeve fiskale janë sa 30 për qind e fondit vjetor të pagave në buxhet.

Top Channel