Mbrojtja e trashëgimisë kulturore

05/11/2013 00:00

Mbrojtja e trashëgimisë kulturore në vend kërkon një operacion të gjithanshëm, që nga reformimi i institucioneve, riorganizimi administrativ dhe ligjor e deri tek parneriteti i ri i publikut dhe privatit me këtë pasuri. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro thotë në një intervistë për Top Channel se do të ketë edhe organizim të shkollave për të patur nën mbikëqyrje nga një objekt të trashëgimisë.

TCH: Projektet e reja për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të informimit dhe sensibilizimit të shoqërisë?

Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës: “Kur flasim për trashëgiminë kulturore, mbrojtja dhe ruajtja s’mund të jetë detryë vetëm e shtetit. E rëndësishme është edukimi i shoqërisë me një ndjenjë për ta ruajtur trashëgiminë. Në lidhje me këtë fushatë Ministria e Kulturës ka nisur inciativën ‘shpëtothesarin.com’ dhe një tjetër që po ndërtojmë për krijimin e rrjetit Miqtë e Trashëgimisë Kulturore, që do të përfshijë shkollat, për ta vënë trashëgiminë nën kujdesin e tyre”.

Sipas ministres Kumbaro, kjo nismë do të shërbente për mirëmbajtjen e të gjitha objekteve të trashëgimisë, të cilat nuk kanë personel të mjaftueshëm, por edhe për vlerat edukative të të rinjve në rritjen e përgjegjësisë dhe kontributit për trashëgiminë kulturore.

TCH: Kur flisni për riorganizim administrativ dhe ligjor, çfarë keni parasysh konkretisht?

Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës: “Tre aspekte kryesore. Së pari, refroma në institucionet qendrore, përfshirë dhe ministrinë, për organizimin e drejtorive të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore. Për ta nxjerrë më në pah këtë, në përputhje edhe me konventat e UNESCO-s.

Së dyti, ristrukturimin në drejtoritë rajonale në terren. Jemi të bindur se një administrim më i mirë i trashëgimisë kulturore në terren do t’i mbrojë më mirë ato. Sot kemi një shpërndarje jo të drejtë të drejtorive rajonale kundrejt hartës së trashëgimive. Ka zona ku ka shumë objekte dhe s’ka personel administrimi dhe kjo reformë synon mbulimin e gjithë territorit dhe ekonomizimin e forcave. Na duhen më shumë forca mirëmbajtjeje në konservimin dhe ruajtjen e objekteve se sa në poste administratorësh.

Pjesa tjetër do jetë legjislacioni, që do jetë objekt rishikimi total. Kemi një draft dhe grupi i punës do të punojë dhe propozojë një ligj të ri për përcaktime rregullash më të qarta në partneritetin publik privat dhe pronësinë e trashëgimisë kulturore”.

Në lidhje me lajmin e publikuar nga disa media, se kanë humbur objekte të ekspozitës “Thesare të Kulturës Shqiptare”, që u organizua në Kosovë, ministrja Kumbaro sakteson se, në fakt gjithçka është rikthyer në Shqipëri dhe vlerësoi bashkëpunimin me Minstrinë e Kulturës në Kosovë.

“Të gjitha objektet që kanë shkuar janë kthyer të plota në destinacionet e tyre. Kjo ekspozitë ishte një ekspozitë që nga institucionet shqiptare nuk ishte realizuar sipas parashikimeve të ligjit”, ka saktësuar ministrja Kumbaro.

Top Channel