Fabiani, kampioni 11-vjeçar i karatesë

05/11/2013 00:00

Fabian Lleshi ka shtuar koleksionin e tij të medaljeve. Ai stërvitet në disiplinën “Shotokan karate” dhe këto ditë është rikthyer si triumfues nga Sllovenia dhe Italia, ku u angazhua në garat e radhës.

Në Slloveni ai u shpall kampion, ndërsa në Itali rrëmbeu tre mdealje ari, argjendi dhe bronzi në dispilina të ndryshme. Edhe pse është vetëm 11 vjeç, Fabjani  ka udhëtuar në më shumë se dhjetë shtete të Botës, duke u kthyer në shtëpi si triumfues, me kupa, medalje dhe certifikata.

Cdo gjë është mundësuar nga prindërit e tij, të cilët edhe pse me vështirësi nuk kanë hequr dorë nga investimi për pasionin e të birit. Por, edhe ai ka ditur t’i shpërblejë ata. Kudo ku Fabiani ka marrë pjesë, ka shkëlqyer. Për të janë të pakta vendet e treta sepse falë talentit gjithmonë është ngjitur në shkallët më të larta të podiumit.

Në përmirësimin sportiv të Fabianit ndihmesë të madhe ka dhënë traineri i tij, Kamber Ferati. Deri tani Fabiani ka fituar më shumë se 15 medalje dhe duke llogaritur garat ku ai nuk ka mundur të marrë pjesë, sukseset do të ishin edhe më të mëdha. Por, që talentet të zhvillohen, të rinjtë duhen mbështetur financiarisht.

“Fabiani është një kampion ndërkombëtar. Ka besim tek vetja dhe shumë kurajo. Në çdo turne futet në treshen më të mirë. Është e qartë që është një talent dhe kampion i vërtetë”, shprehet trajneri i 11-vjeçarit.

Mamaja e kampionit të vogël tregon për vështirësitë që kalon familja për ndjekjen e ëndrrës së djalit të tyre: “Fabiani e ka pasur pasion karatenë që i vogël. Kur ishte 6 vjeç pa një reklamë në televizor për një shkollë karateje dhe një vit rresht na u lut që ta regjistronim. Udhëtimet për kampionate ndërkombëtare i përballojmë me vështirësi. Ka pasur turne kur nuk e kemi dërguar dot dhe kjo është e vështirë pasi stërvitet gjithë vitin e në fund nuk mund të garojë.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB