Raundi i katërt i ndeshjeve në grupe për Champions League ka dhuruar rezultate të befasishme dhe të papritura.
Kryendeshja e javës, sa i përket 4 grupeve të para A, B, C dhe D, ishte sigurisht Juventus – Real Madrid, një sfidë që u mbyll në barazim 2-2, një ndeshje me spektakël e gola, por edhe vendime disi të dyshimta.
Bardhezinjtë kaluan në fundin e pjesës së parë në avantazh, falë ekzekutimit perfekt të 11-metërshit nga ana e Vidal, por që ishte i diskutueshëm. Në të dytën, Reali i Ancelotti-t përmbys shifrat kur kishte kaluar 1 orë lojë, me autorë golash Cristiano Ronaldo e Gareth Bale.
Por, të besuarit e Conte-s nuk u dorëzuan dhe Llorente arrin të barazojë rezultatin, i cili nuk do të ndryshonte deri në fund të takimit, pavarësisht përpjekjeve të shumta të Juventusit për të siguruar një fitore, që do t’i vlente për më shumë frymëmarrje sa i përket çështjes së kualifikimit.
Me këtë rezultat, italianët zbresin në vendin e fundit të grupit B me 3 pikë, ndërkohë që Real Madrid kryeson me 10 të tilla. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Kopenhagen arrin një fitore me shumë vlera në Danimarkë, kundër Galatasaray-t, me një gol të shënuar nga Braaten që në minutën e 6 të takimit.
Kampionët në fuqi të Europës, Bayern Munich, sigurojnë kualifikimin për në fazën tjetër me eliminim direkt, pasi mposhti me vështirësi 1-0 Victoria Plzen në Çeki. Shënon për gjermanët sulmuesi kroat Mandzukiç në të 65-tën.
Bavarezët janë me pikë të plota 12, në krye të grupit, pas 4 ndeshjesh të luajtura, të ndjekur nga Manchester City me 3 pikë më pak, teksa anglezët kanë shpartalluar 5-2 CSKA-në e Moskës në “Etihad Stadium”, ku shënuan Negredo, tripletë, dhe Aguero, dopietë. Dy golat e CSKA-së i shënoi lojtari nga Bregu i Fildishtë, Seydou Doumbia. Edhe City siguron kalimin në fazën tjetër.
Një tjetër ekip që duket me një këmbë i kualifikuar është Paris SG, edhe pse francezëve nuk u mjaftoi Ibrahimovich për të marrë 3 pikët në sfidën e luajtur në Francë kundër Anderlecht-it. Vetëm 2 javë më parë, parizienët kishin triumfuar 5-0 në transfertë ndaj të njëjtit kundërshtar, ndërsa në Paris ata janë ndalur në barazim 1-1. De Zeuuë, autor i golit për belgët, të cilët mbetën edhe me 10 lojtarë në fund.
1-0 kanë fituar edhe grekët e Olympiacos ndaj portugezëve të Benfica-s, një rezultat që u jep më shumë mundësi kualifikimi helenëve. Edhe pse goli për grekët u shënua në minutën e 13, shumë pak u bë për të ndryshuar rezultatin deri në fund të takimit.
Dy rezultate të njëjta, barazime të bardha pa gola, kanë dhuruar ndeshjet e grupit A, Sociedad – Manchester United dhe Shakhtar – Leverkusen. Një grup që nuk ka ende asgjë të vendosur sa i përket kualifikimit, pasi anglezët udhëheqin grupin me 8 pikë, gjermanët ndjekin me 7 pikë, ndërsa ukrainasit janë në kuotën e 5 pikëve. Sociedad është tashmë jashtë Champions-it, por ende në lojë për vendin e tretë, që do të thotë kalim në Europa League.
Top Channel