Champions, Barça nuk beson tek kriza e Milanit

05/11/2013 19:55

Në prag të ndeshjes së Champions League me Milanin, trajneri i katalanasve, Tata Martino theksoi se nuk ka besim tek kriza e përfolur e italianëve.

“Nëse ata janë në krizë, edhe ne jemi pasi vetëm barazuam në ndeshjen e parë”, ironizoi trajneri i kampionëve të Spanjës në fuqi.

Në konferencën për shtyp përpara takimit, Martino siguroi se e di mënyrën se si mund të fitohet ndaj kuqezinjve. “Duhet të bëjmë një lojë të përpunuar mirë, të qarkullojmë topin me shpejtësi, në mënyrë të vazhdueshme dhe me dinamizëm, në mënyrë që të mbajmë gjatë të gjithë kohës nën presion Milanin e të provokojmë daljen e lojtarëve të tyre nga pozicioni, pasi kur u vendosën me skemën 5-4-1 në ndeshjen e parë ishte vërtetë e vështirë të gjeje hapësira”.

Përsa i përket formës së Messit, trajneri shtoi: “Pësoi dy dëmtime në pak kohë dhe nuk është në formën më të mirë, por stërvitet në mënyrën e duhur në funksion të ndeshjeve që kemi”.

Martino iu përgjigj akuzave edhe për lojën monotone që zhvillon ekipi i tij. “Ne do të vazhdojmë me stilin tonë të zakonshëm, duke u përpjekur të perfeksionojmë edhe alternativa të tjera. Nuk duhet t’i lëmë hapësira kundërshtarit dhe në këtë ide bazohet edhe loja jonë. Kemi gjashtë vjet që luajmë, nuk mund të ndryshojmë stil menjeherë pasi dikujt nuk i pëlqen”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA