Heqja e taksës së peshës

04/11/2013 00:00

Shoqata Shqiptare e Transportit Ndërkombëtar kërkon heqjen e taksës që transportuesit shqiptarë paguajnë në Itali, problem i njohur prej kohësh por që ende nuk ka marrë një zgjidhje.

Në një seancë dëgjimore në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, transportuesit i bënë thirrje qeverisë të këmbëngulë tek autoritetet italiane për heqjen e detyrimit prej 9.3 eurosh për çdo ton të ngarkuar.

“Ne e kemi quajtur diskriminim sepse paguajmë një taksë që është vetëm për shoferët shqiptarë dhe jo për ata të shteteve të tjera. Nuk e konsiderojmë aspak si diçka të moderuar”, ka deklaruar Ilir Mataj, Shoqata Shqiptare e Transportit Ndërkombëtar Rrugor.

Duke mbështetur shqetësimin e transportuesve, deputetët e të dyja palëve e quajtën të papranueshme lënien në fuqi të kësaj takse të vënë para vitit ‘90 e që dekurajon shkëmbimet tregtare.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaci është situata monopol e krijuar jo vetëm në transportin detar, por në mënyrë të veçantë në atë ajror e që duhet të zhbëhet.

“Qenka kaq e pamundur që të hyjnë kompani të tjera në një treg prej 1.5 milionë udhetarësh në vit? Është e qartë që këtu ka pasur interesa politike. Ka qenë fuqizimi i monopoleve. Kanë shkatërruar transportin e lir në tregun detar dhe atë ajror”, ka deklaruar Gaci.

Top Channel