Bari, arrestohet shqiptari me heroinë

01/11/2013 00:00

Një shqiptar është arrestuar në Bari, ndërsa po përpiqej të importonte
në Itali 7,5 kilogramë heroinë, që arrinte në 135 mijë doza.

Sipas mediave italiane ngarkesa e paketuar në 14 kuti të vogla ishte fshehur në dyshemenë e një furgoni me targa bullgare, që zbarkoi nga anija “Superfast II” që vinte nga Greqia.

Shqiptari, i cili po transportonte drogën, u mundua fillimisht të shmangte kontrollet, njofton policia, por është arrestuar dhe dërguar në paraburgim në Bari, ku pritet tu përgjigjet akuzave për trafik ndërkombëtar të drogës.

Sipas të dhënave të policisë italiane, nëse kjo sasi droge do të kishte dalë në treg, trafikanti shqiptar do të përfitonte një shumë deri në 400.000 euro. Porti i Barit vazhdon të mbetet udhëkryq i trafikut të drogës mes Italisë dhe Lindjes.

Top Channel