Arben Manaj – Më qëlloi të jem privatisht këto ditë në Filipine, një
vend në zhvillim dhe me kontraste të thella sociale dhe pabarazi
pasurore, tipike për vendet me ritme të larta zhvillimi të Azisë
Juglindore.
Dhe siç ndodh pakuptueshëm, kudo që është, instinktivisht, njeriu bën lidhjet dhe krahasimet me vendin e vet, apo me vendin e vet të adoptuar.
Konkretisht, me Shqipërinë shoh shumë ngjashmëri zhvillimi, popullsi mjaft të re në moshë, atipike me disa vende të tjera të rajonit, por aty-këtu edhe praktika që janë specifike, që ia vlen të konsiderohen.
Një nga gjërat që më bën përshtypje të veçantë, është përkujdesja ndaj moshës së tretë. Ndër shumë privilegje, është e drejta për zbritje në shumë shërbime në masën 20 për qind për çdo person që ka mbushur moshën 60 vjeç.
Përmes një karte të thjeshtë me foto, kartë jo e sofistikuar, jo biometrike, siç janë sot kartat shqiptare të identitetit, por e plastifikuar, njëlloj si kartat italiane të identitetit, nëse i keni parasysh, ata burra/gra, që jo domosdoshmërisht kanë dalë në pension, po që detyrimisht kanë mbushur 60 vjeç, sigurojnë trajtime specifike dhe ulje në shërbime dhe tarifa.
Në pjesën e pasme të kësaj karte shkruhet: Përfitimet dhe Privilegjet sipas Ligjit nr. 9257 të Republikës. Dhe përfitime janë si më poshtë: Shërbim falas dentar, mjekësor, diagnostikues dhe laboratorik në të gjitha klinikat qeveritare; 20 për qind zbritje për blerjen e ilaçeve gjenerike; 20 për qind zbritje në çmimet e hoteleve, restoranteve dhe qendrave rekreative; 20 për qind zbritje të çmimit nëpër teatro, kinema, salla koncertesh; 20 për qind zbritje për shërbimet mjekësore dhe dentare, laboratorike dhe diagnostikuese në çdo klinikë private; 20 për qind zbritje të çmimit për biletat e transportit rrugor, ajror, detar të brendshëm. Karta firmoset nga Kryetari lokal i Bashkisë dhe Kryetari i Agjencisë së Njerëzve të Moshuar.
Me pak fjalë, çdo njeri që ka mbushur moshën 60-vjeçare, dhe jo që të ketë dalë zyrtarisht në pension, kudo që shkon për sa më sipër, përfiton këtë lloj zbritjeje në çmim, nëpër restorante, për bileta transporti, për shërbime mjekësore etj., duke paraqitur këtë kartë identifikuese, dhe kamerierë, sportelistë, e kushdo që ofron shërbimet e sipërpërmendura, i kërkon të firmosë në një dokument të veçantë të moshuarit/moshuarës, dhe i bën automatikisht zbritjen korresponduese në çmim.
Madje, mësova dhe pashë se ka korsi të veçanta prioritare për këtë moshë, për të mos mbajtur radhë nëpër supermarkete, dyqane, apo çdo radhë shërbimesh. Dhe ky prioritet është absolut.
Si dëshmitar okular i shumë praktikave të tilla në këtë vend, përmes të njohurve të mi këtu në Filipine, dy gjëra më godasin për mirë. Shija e bukur e të qenët i respektuar nga shoqëria në një moshë delikate, në dimrin e jetës, por pse jo, edhe kënaqësia e të përballuarit më me lehtësi e shpenzimeve, pra një privilegj financiar, sipas parimit që më kujton një logo të një supermarketi të madh britanik, Tesco, “Every little, helps”, “Gjithçka, sado e vogël, ndihmon”.
Kjo është ana teknike e përvojës filipinase, që duhet thënë, se nuk e gjen në ndonjë vend tjetër, si në Singaporin e pasur, për shembull, dhe këtu kemi të bëjmë me kultura dhe mentalitete të ndryshme. Në Singapor, për shembull, shikon të moshuar deri në 80 vjeç e sipër që ende punojnë nëpër supermarkete apo në shërbime të tjera të rëndomta, të ashtuquajturit Uncle and Auntie dhe nuk kanë privilegje të këtilla, edhe pse në një vend shumë herë më të pasur se Filipinet.
Për ta konvertuar në mjedisin shqiptar gjithë këtë përvojë dhe domosdoshmëri do të insistoja, dikush mund të pretendojë, edhe me të drejtë, se disa privilegje edhe janë në dispozicion, por askush mund të predikojë se është plotësisht, si kjo që aplikohet këtu në Filipine.
Ka shumë vështirësi, qoftë edhe teknike, apo edhe financiare, mund të argumentojë dikush tjetër, specialist i fushës. Padyshim, që mund të ketë. Por kur ka një dëshirë, gjendet rrugëzgjidhja.
E di që ministri i ri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, më proaktivi, ka zbuluar thagma shokuese së fundmi, me manipulimet e pretenduara për abuzime me këto lloj ndihmash sociale për njerëzit me paaftësi fizike.
Po ashtu, e di që ka vështirësi në aplikimin konkret të një skeme të këtillë në praktikë, por në kushtet shqiptare, mes shumë arritjeve, një gjë, të paktën është arritur vitet e fundit, në masën dërrmuese, dhe pikërisht, identifikimi pozitiv i personit dhe moshës reale të tij.
Përmes kartave biometrike të identitetit, të cilat mund të shërbejnë si një dokument për një përfitim dhe privilegje të tilla, ofrohet të paktën shmangia e një prej problemeve potenciale.
Si funksionon disbursimi i shtetit ndaj operatorëve privatë dhe publikë për këto zbritje në çmime është pyetja që të shkon automatikisht ndër mend.
Shteti nuk është se bën disbursim klasik të subjektit privat dhe shtetëror për çdo faturë, por ajo që ndodh është se shteti u kërkon 20 për qind më pak taksë këtyre subjekteve në fund të vitit financiar, respektivisht përmes verifikimit të faturave që konfirmojnë shërbimin e ofruar të moshuarve. Duke ua bërë më të lehtë jetën vetes dhe shërbim-ofruesit.
Plus, kësaj moshe i zbritet edhe TVSH-ja e produktit dhe shërbimit.
Kjo formë shmang burokracinë e identifikuar, kur qeveria e re shqiptare për shembull, do duhet të paguajë shumë kompani që nuk kanë marrë paratë nga shteti ende, si për rrugët, etj., siç po shkruhet gjerësisht në shtyp.
Pra, shteti merr më pak të ardhura, por ka më pak dhembje koke burokratike, duke qenë në fund të fundit, përsëri shteti, ai që ia ofron qytetarit të moshuar këtë zbritje në çmim.
Shqipëria padyshim, ka shumë probleme me çështjen e pensioneve dhe kontributeve për skemat e pensioneve, ashtu siç ka edhe mangësi të kuptueshme në trajtimin e kësaj shtrese me moshë të thyer, moshë që do e mbërrijmë të gjithë një ditë, falë një shëndeti të mirë dhe ndihmës se Zotit.
Për vetë rrethanat specifike të mospasjes së shtetit klasik, dhe rrënimit dhe kolapsit të tij në postkomunizëm, shumë shtetas shqiptarë kanë probleme madhore me pensionet.
Që kur kam qenë në BBC, disa vite më parë, përmes një seriali emisionesh e kam ngritur këtë problematikë, pasi “vjen një ditë dhe është tepër vonë”, çka ishte edhe titulli i tij.
Shumë shqiptarë, në Shqipëri, në qytet dhe në fshat, apo edhe në emigracion, përmes neglizhencës apo edhe mundësive praktike dhe pamundësive financiare, ose nuk kanë kontribuar sa duhet ose e kanë të vështirë të rikapin, një pjesë e konsiderueshme e tyre, kontributet e prapambetura.
Por do të vijë një ditë, në kapitalizmin e egër shqiptar, dhe ndoshta ka ardhur për brezin sipër meje, që sot marrin një pension minimal dhe jo-dinjitoz, ose ndodhen përballë perspektivës së mosmarrjes së pensionit.
Këtu nuk po flas për të kamurit, por për të skamurit, jo për ata që kanë biznese dhe pensioni u duket angari, por për mijëra shqiptarë, që lehtësisht nuk mendojnë kur të mos jenë më në marrëdhënie pune dhe do duhet të përballojnë një jetë të vështirë financiare, e cila ka efekte në dinjitetin njerëzor, në fund të fundit.
Dhe te dinjiteti njerëzor, lidhet më shumë praktika e aplikuar në Filipine, që po sjell.
Të gjithë një ditë do mbërrijmë në atë moshë, edhe ata që sot janë të rinj, pavarësisht nga bindjet politike, dhe të gjithë do ta gëzojnë një privilegj të tillë, nëse do mund të iniciohet dhe aplikohet në Shqipëri.
E di që Kryeministri, normalisht nuk ka dëshirë të asociiohet me njeriun e korruptuar, si çdo njeri politik apo apolitik, por po tentoj ta “korruptoj”, jo financiarisht sesa moralisht, duke ia pranuar personalisht, që ky ligj që do ta mundësojë këtë përfitim dhe privilegj 20 përqindësh, le ta marrë edhe emrin e tij fundjafundit, nëse i jep kënaqësi apo e shtyn drejt konsiderimit. Mjafton që të bëhet.
Kategorisë së tij, ose edhe atij personalisht, argumentueshëm, ndryshe nga shumica e shqiptarëve, që kanë ose do kenë nevojë për këto përfitime dhe privilegje, nëse nuk do denjojë t’i ushtrojë këto privilegje, le t’i mjaftojë sa të ketë jetë në këtë botë, bekimi dhe urata, apo qoftë edhe llagapi “Mister 20 për qindëshi”.
Manila, 30 tetor 2013
Top Channel