Ushtria venezueliane qëlloi dhe rrëzoi dy avionë të lehtë që shkelën hapësirën ajrore të vendit në fundjavë, u bë e njohur të martën në një deklaratë të Karakasit zyrtar.
Sulmi u realizua nga gjuajtësit e flotës ajrore që u ngritën në ajër dhe i kërkuan avionëve shkelës që të uleshin në aeroportin më të afërt nën shoqërimin e tyre.
Pasi paralajmërimet u shpërfillën, avionët u qëlluan dhe shkatërruan në ajër.
Ky është rasti i parë që gjuajtësit venezuelianë ndërmarrin operacione të tilla, që prej aprovimit të një ligji që lejon goditjen e avionëve që shkelin në mënyrë të paligjshme hapësirën ajrore gjatë muajit Shtator.
Besohet se avionët e vegjël i përkisnin karteleve të drogës dhe po transportonin sasi lënde narkotike nga Amerika Qëndrore, drejt një destinacioni të papërcaktuar.
11 avionë të tjerë janë detyruar të ulen në tokë në Venezuelë gjatë vitit.
Vendi më i pasur me naftë në Amerikën e Jugut ka nisur një operacion të gjerë kundër karteleve të drogës që në kohën e ish-presidentit Hugo Chavez dhe vetëm gjatë 2013-s kanë rënë në duart e forcave të rendit 35 tonë drogë.
Top Channel