Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja bëri me dije të martën planin e qeverisë që do të mundësojë shtimin e masave për parandalimin e sa më shumë rasteve të sëmundjeve tumorale.

“Ndërhyrja e menjëherëshme do të jetë furnizimi më i plotë me citostatikë në QSUT, do të ndërmarrim masa afatgjata që lidhen me hartimin dhe saktësimin e protokolleve të mjekimit, autonominë spitalore si dhe rritjen e numrit të qendrave të specializuara ku trajtohen tumoret”, tha Beqja.

Në vazhdim të aktiviteteve të ndërmarra gjatë muajit tetor për ndërgjegjësimin për luften ndaj kancerit të gjirit, Ministri Beqja shprehu angazhimin e institucionit që ai drejton për të mbështetur këto aktivitete.

Ministri Beqja lajmëroi hyrjen në fuqi të heqjes së tarifës për kryerjen e ekzaminimit të sëmundjeve tumorale dhe shërbimin për gratë shtatzëna. Ai tha se tashmë që cdo pacient me tumor do të trajtohet falas, qytetarët kanë një detyrim ndaj vetes dhe shoqërisë për të kryer testin dhe të ndihmojnë në parandalimin e këtyre sëmundjeve dhe uljen e vdekshmërisë.  

Beqja gjithashtu, lajmëroi se që prej vitit të ardhshëm Ministria e Shëndetësisë do të fillojë depistimin e të gjithë popullatës nga mosha 40-60 vjec.

“Ne jemi të vendosur që në vitin e ardhshëm të nisim një program masiv të kontrollit bazë të sëmundshmërisë në vend për grupmoshën 40-60 vjeç. Me ketë program depistimi synojmë që të ulim rreziqet që vijnë nga moskapja në kohë e sëmundjeve, kryesisht atyre tumoriale”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë në një konferencë për shtyp. 

Top Channel