Një student hapi zjarr me armën që u kishte marrë prindërve të tij. Nxënësit të tmerruar vraponin për t’u fshehur e për të shpëtuar. Një mësues, i cili po përpiqej t’i ndihmonte ata, u qëllua për vdekje, ndërsa 2 studentë u plagosën.
Ndërkohë që autoritetet po hetojnë, detajet janë ende duke rrjedhur me “pikatore” disa orë pas të shtënave vdekjeprurëse të së hënës, në një shkollë të mesme të Nevadas.
Një zyrtar përdori një fjalë për të përshkruar skenën në shkollën e mesme të Sparks: kaos!
I armatosuri përdori armën që ia kishte rrëmbyer prindërve, sipas një burimi federal të zbatuesve të ligjit, i cili foli shumë shkurt mbi ngjarjen. Më pas, i armatosuri përdori armën e tij për të vrarë veten, shtoi burimi në fjalë për CNN.
Sipas autoriteteve, motivi i agresorit është ende i paqartë. “Është herët për të thënë nëse ai kishte shënjestruar njerëz specifikë apo thjesht kishte kërkuar të hapte zjarr pa dallim dhe kudo të mundej”, tha Tom Robinson, zëvendës shefi i Departamentit të Policisë së Reno.
Mike Landsberry, një mësues matematike në shkollë, u vra gjatë të shtënave, tha kryebashkiaku i Sparks, Geno Martini, për CNN. Vec punës si mësues, Landsberry kishte shërbyer edhe në ushtri gjithashtu, përfshi disa ture në Afganistan, shtoi Martini.
Top Channel