Ministrat e Jashtëm arabë dhe perëndimorë do të takohen me krerët e opozitës siriane në Londër, në përpjekje për t’i bindur që të marrin pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve për paqen.
Një grup i rëndësishëm në opozitën siriane po kërcënon se do të bojkotojë bisedimet, e parashikuara për muajin e ardhshëm në Gjenevë të Zvicrës.
Grupi thotë se çdo marrëveshje duhet të parashikojë tërheqjen e presidentit Bashar al Assad, ndërkohë që Damasku zyrtar deklaron se një opsion i tillë nuk është mbi tryezë.
Por shefat e diplomacive deklarojnë se uniteti i opozitës është jetik nëse palët duan që bisedimet të kenë shanse suksesi.
Në Londër, ministrat e Jashtëm nga 11 vende, të njohur ndryshe si grupi i Miqve të Sirisë, do të përpiqen të shtrojnë terrenin për atë që njihet si konferenca Gjeneva II.
Britania, Egjipti, Franca, Gjermania, Jordania, Italia, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Shtetet e Bashkuara pritet të riafirmojnë këndvështrimin e tyre se konferenca duhet të ketë në qendër tranzicionin politik në Siri, larg regjimit të Assad.
Duke folur në prag të takimit, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry theksoi se opozita siriane nuk do të bjerë kurrë dakord që presidenti Assad të vazhdojë të qëndrojë në pushtet.
“Nëse Assad mendon se do t’i zgjidhë problemet duke garuar për rizgjedhjen e tij, atëherë unë mund t’i them atij se mendoj se kjo luftë nuk do të mbarojë kurrë për sa kohë ai do të jetë atje”, deklaroi Kerry.
“Nuk njoh ndonjë që beson se opozita do të lejojë që Bashar Al Assad të jetë pjesë e qeverisë. Ai ka bombarduar dhe ka vrarë me gaz popullin e vendit të tij. Si mund të thotë ai njeri se do të qeverisë me legjitimitet në të ardhmen?”, vijoi Kerry.
Ndërkohë, presidenti Assad raportohet se ka thënë për një televizion të Libanit se nuk sheh arsye përse të mos garojë për rizgjedhje në zgjedhjet e vitit 2014.
Top Channel