Kerry: Rizgjedhja e Assad, vendi në kaos total

22/10/2013 02:15

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, ka thënë se “faktorët ende nuk janë në vendin e tyre” për bisedimet e paqes, pavarësisht përpjekjeve nga fuqitë botërore për të mbajtur një takim muajin e ardhshëm.

Në një intervistë për televizionin e Libanit “Al-Mayadeen”, të transmetuar të hënën, Assad shtoi gjithashtu se ai dëshiron një tjetër mandat si president dhe se nuk e ka përjashtuar kandidimin e tij për rizgjedhje në 2014-n.

Komentet e tij vijnë teksa Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili ka shtyrë palët për një konferencë paqeje muajin e ardhshëm në Gjenevë, tha se çdo përpjekje e Assad për t’u rizgjedhur do të zgjaste luftën civile të vendit.

“Nuk është përcaktuar koha, ndërkohë që edhe faktorët nuk janë në vendin e tyre, nëse ne duam të kemi sukses”, tha Assad për al-Mayadeen, duke iu referuar iniciativës amerikano-ruse për paqe, të quajtur “Gjeneva 2”.

“Cilat forca do të marrin pjesë? Çfarë marrëdhëniesh kanë këto forca me popullin sirian? A përfaqësojnë ata popullin sirian, apo përfaqësojnë shtetet nga të cilat janë nxitur për në konferencë?”, ishin dyshimet e Assad gjatë intervistës.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia janë përpjekur të organizojnë konferencën “Gjeneva 2”, e cila u njoftua fillimisht vitin e kaluar, për të arritur një marrëveshje, sipas së cilës Siria pranoi të shkatërronte arsenalin e saj kimik deri në mesin e vitit 2014.

Assad ka refuzuar sistematikisht të njohë si legjitime Koalicionin Kombëtar të opozitës, që këmbëngul për largimin e tij nga pushteti, një kërkesë e refuzuar nga regjimi i Sirisë.

“Si mundet që këto forca të përfaqësojnë popullin sirian, nëse jetojnë jashtë shtetit? Ata as nuk guxojnë të vijnë në Siri… por pretendojnë të kontrollojnë 70% të territorit sirian”, tha Assad.

“Ka ende shumë dyshime mbi konferencën… Cili është kuadri i saj?”. Ai akuzoi në mënyrë të përsëritur Koalicionin se po punon nën urdhrat e mbështetësve rajonalë dhe Perëndimore.

“Zgjidhja e luftës së Sirisë duhet të jetë një zgjidhje siriane, pavarësisht nëse fuqitë e huaja do ta njohin apo jo atë. Ajo që ka rëndësi është që populli sirian ta njohë atë”, tha Assad.

I pyetur nëse do të rikandidonte në zgjedhjet presidenciale, Assad, i cili pasoi babain e tij të ndarë nga jeta në vitin 2000, tha: “Përgjigja ime do të varet nga dy faktorë. E para, është dëshira personale, dhe e dyta, është dëshira e popullit”.

“Sa i përket të parës, nuk shoh ndonjë arsye se përse nuk mund të kandidoj në zgjedhjet e ardhshme”.

Kerry pritet të takohet me opozitën siriane dhe mbështetësit e tyre arabë e perëndimore, të martën në Paris. Ai paralajmëroi se rizgjedhja e Assad do të ndëshkonte më tej vendin.

“Nëse ai mendon se do të zgjidhë problemet duke rikandiduar në zgjedhje, mund t’i them vetëm diçka: kjo luftë nuk do të përfundojë për sa kohë që kjo është çështja për të cilën ai ndodhet në Paris”, tha Kerry.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA