BE-Turqi, rifillojnë negociatat e anëtarësimit

22/10/2013 15:35

Bashkimi Europian informoi se ka rënë dakord me Turqinë për rinisjen e negociatave të anëtarësimit nga muaji Nëntor.

Ministrat e Jashtëm të BE-së, në një takim në Luksemburg, vendosën që të rifillojnë këto bisedime të ngrira prej tre vitesh.

Brukseli vendosi rikthimin në tryezë me Ankaranë zyrtare që në Qershor, por bisedimet u shtynë për shkak të shtypjes me dhunë të protestave anti-qeveritare me të cilat u njoh Turqia gjatë muajve të verës.

Turqia ka aplikuar për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian në vitin 1987.

Vendimi i 28 ministrave për të rihapur bisedimet u bazua në rekomandimet pozitive të Komisionit Europian.

Në progresraportin e vitit 2013 për Turqinë, KE kritikoi përdorimin e tepruar të forcës nga policia turke.

Megjithatë, në të njëjtën kohë u përgëzuan reformat në gjyqësor dhe reformat politike të paralajmëruara muajin e shkuar nga qeveria e kryeministrit Recep Tayyip Erdogan.

Midis reformave politike përfshihet edhe angazhimi i Ankarasë për t’i garancuar më shumë të drejta dhe liri pakicës kurde në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA