Australi, e mërkura dita e “ferrit”

22/10/2013 00:00

Zjarrfikësit në Australi po përballen me dy zjarre masive në afërsi të
Maleve Blu, si pjesë e përpjekjeve për të kontrolluar vatrat e zjarrit
që kanë përfshirë shtetin Nju South Uells.

Operacione në masë të gjerë po ndërmerren nga autoritetet me qëllim shmangien e përkeqësimit të situatës që parashikohet të ndodhë të mërkurën.

Ditën e martë në mëngjes, mbi 60 zjarre ishin ende aktivë, 13 prej të cilëve jashtë kontrollit. Rajoni përjetoi shira të imëta në orët e mëngjesit, por zjarrfikësit thanë se ato ishin të pamjaftueshme për të zbutur zjarret.


Nju South Uellsi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme
ditën e diel, pas konstatimit se bëhej fjalë për zjarret më të rënda ndër vite.

Shërbimi i zjarrfikësve në këtë shtet deklaroi se zjarret në shtetin e Majnit dhe në Malin Viktorja janë frenuar, në mënyrë që të parandalohet krijimi i një vatre të tretë në lokalitetin Springud.

“Ne po shohim rezultate pozitive pas këtyre strategjive të mirëorganizuara, sidomos në prag të kushteve të motit të parashikuara për të mërkurën”, deklaroi komisioneri Shane Fitzsimmons.

Situata e emergjencës në shtetin e Majnit është zhvlerësuar në kategorinë “vëzhgo dhe vepro”, pas disa reshjeve të lehta që ranë në zonën e zjarreve.

Gjithësesi, komisioneri Fitzsimmons shtoi se ka ende shumë punë për të bërë dhe se zjarrfikësit duhet të përgatiten për temperatura më të larta dhe erëra më të forta pas ditës së reshjeve.

“Kemi ndoshta 24 orë para se të shohim më të keqen. Kushtet e motit të mërkurën do të jenë më të këqija se kurrë”, vijoi zyrtari i shërbimit të zjarrfikësve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB