Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të zbusin shqetësimet franceze, në lidhje me akuzat se Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare (NSA) ka regjistruar fshehurazi miliona telefonata në Francë.
Presidenti Barack Obama ka telefonuar homologun e tij francez, Francois Hollande, për të diskutuar në lidhje me çështjen, ndërkohë që Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha se Franca është “një nga aleatët tanë më të vjetër”.
Kryeministri francez, Jean-Marc Ayrault është shprehur se ndihet “thellësisht i shokuar” nga akuzat, sipas të cilave NSA përgjonte zyrtarët, bizneset dhe të dyshuarit për terrorizëm. Ato u publikuan në gazetën franceze “Le Monde”, si dhe bazohen te dokumentet e nxjerra vjedhurazi nga ish-analisti i inteligjencës amerikane, Edward Snowden. Ndërsa ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, ka kërkuar menjëherë shpjegime, më herët gjatë së hënës.
Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë lexohej se dy presidentët kanë diskutuar në lidhje me ngjarjet e fundit, “disa prej të cilave kanë shtrembëruar aktivitetet tona, ndërsa disa të tjera ngrejnë dyshime legjitime te miqtë dhe aleatët tanë, në lidhje me faktin se si janë punësuar këta njerëz kaq të aftë”.
Në të thuhej: “Presidenti Obama e ka bërë të qartë se SHBA-të kanë nisur të rishikojnë mënyrën se si ne mbledhim informacione, kështu që ne do të balancojmë shqetësimet legjitime mbi sigurinë e shtetasve tanë dhe aleatëve tanë, me shqetësimet për privatësi që ndajnë të gjithë njerëzit e tjerë”.
Kerry, i cili ndodhej në Paris për t’u takuar me zyrtarë të Ligës Arabe, tha se SHBA-të do të vazhdojnë “konsultimet bilaterale” për të adresuar këtë çështje.
“Të mbrojmë sigurinë e shtetasve tanë në botën e sotme është një detyrë shumë e komplikuar dhe shumë sfiduese… Kjo sepse ka shumë njerëz në botë, të cilët synojnë t’i shkaktojnë sa më shumë dëme të tjerëve”, tha Kerry.
Në një deklaratë të mëhershme, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Caitlin Hayden, tha se “të gjithë kombet” zhvillojnë operacione spiunazhi. “Si një çështje politike, ne e kemi bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara mbledhin informacione të inteligjencës së huaj, të atij tipi që mbledhin edhe të gjithë kombet e tjera”, tha ajo.
“Le Monde” publikoi se NSA kishte spiunuar 70,3 milionë telefonata në Francë në vetëm 30 ditë, nga 10 dhjetori i vitit të kaluar deri më 8 janar të 2013.
Top Channel