Barack Obama pranoi se probleme të shumta teknike e kanë frenuar mbarëvajtjen e njërit prej elementëve kyç të reformës së tij shëndetësore.
Gjatë një konference për shtyp, në kopshtin e trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë, presidenti amerikan foli për faqen e internetit “HealthCare.gov”, pjesë e rëndësishme e programit të tij, të njohur si Akti i Përballueshëm për Kujdesin Shëndetësor 2010, apo më thjesht si “Obamacare”.
Vetë kreu i shtetit amerikan e konsideron këtë reformë si arritjen e vet më të madhe. Por, që nga çelja e saj, më 1 tetor, faqja “HealthCare.gov” ka pasur probleme dhe praktikisht nuk është mundur të përdoret, gjë që për Obamën është e papranueshme.
“HealthCare.gov nuk ka funksionuar siç duhet. Numri i njerëzve që e kanë vizituar këtë faqe ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe kjo e ngarkoi shumë, duke rënduar punën e saj. Nuk ka pse i ëmbëlsojmë gjërat, e vërteta është se faqja e internetit ka qenë tepër e ngadaltë, njerëzit janë bllokuar gjatë procesit të aplikimit dhe për këtë mund t’iu siguroj se, nuk ka person më të irrituar se unë. Pikërisht sepse produkti i ofruar është i mirë, dua që sistemi të funksionojë. Nuk ka justifikim për problemet, ato do të ndreqen të gjitha”, tha Obama.
Që prej hapjes së tij, “website”-i është vizituar gati 20 milionë herë. Ligji i mbështetur prej tij ka si qëllim t’u ofrojë amerikanëve mundësinë e sigurimeve të përballueshme dhe të mira shëndetësore.
Rreth 40 milionë amerikanë, shumica punonjës me të ardhura të pakta, nuk i kanë të tilla sigurime, ndërsa për shumë prej personave të siguruar, kostoja në rritje e kujdesit shëndetësor është një barrë e madhe dhe… çfarë mbulohet nga sigurimet e çfarë jo, është vështirë të parashikohet.
Kritikët e planit argumentojnë se, qeveria nuk duhet ta bëjë të detyrueshëm mbulimin me kujdes shëndetësor dhe se ndryshimet do të rrisin koston e këtij kujdesi. Implementimi i ligjit, sipas tyre, do të sjellë probleme të mëdha, duke e çuar vendin drejt katastrofës fiskale për shkak se nuk do të arrihet dot balancimi i buxhetit.
Top Channel