Siri, OKB kërkon armëpushim të pjesshëm

20/10/2013 08:45

Drejtori i Agjensisë Humanitare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kërkoi një armëpushim të menjëhershëm në lagjen e Moadamiyas, në Damask, për t’i ardhur në ndihmë popullsisë civile që përveçse ka mbetur e bllokuar në zonën ndërluftuese, përballet edhe me mungesën kronike të mjekimeve, ushqimeve e ujit të pijshëm.

Valerie Amos bëri me dije gjatë së dielës se ndërsa 3 mijë persona u shpërngulën gjatë javës së shkuar pas një armëpushimi disi-orësh të dakordësuar në terren, një numër i njëjtë personash mbeten të izoluar në zonat që po bombardohen në mënyrë të përditshme me artileri.

Lagjia në fjalë është bërë një arenë luftimesh intensive, me forcat e Bashar al-Assad që po realizojnë një mësymje në shkallë të gjerë për të rifituar këtë territor të pushtuar prej kryengritësve.

Amos shtoi se për momentin është e pamundur të bëhet një vlerësim për situatën me të cilën përballen të gjithë banorët e izoluar, por ajo pranoi se disa dhjetëra prej tyre dyshohet të kenë mbetur të vrarë ndërkohë.

“I bëj thirrje të gjitha palëve që të bien dakord për të pushuar në mënyrë të menjëhershme luftimet në Moadamijah, në mënyrë që të lejojnë agjensitë humanitare të asistojnë popullsinë civile, në mënyrë që t’u shpërndarjnë atyre mjekime, ushqime dhe materiale të tjera të domosdoshme për jetesën”, deklaroi Amos, e cila pranoi se situata si ajo e kësaj lagje të kryeqytetit vërehen edhe në shumë pjesë të tjera të vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA