Të paktën 16 ushtarë sirianë humbën jetën pas sulmit kamikaz dhe përleshjeve të armatosura që vijuan pas tij, në periferi të Damaskut. Shpërthimi ndodhi në zonën e Xharamanas, e banuar kryesisht nga të krishterë. Media Shteterore fajësoi terroristët, por nuk dha detaje për shpërthimin.
Sic raporton “Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut”, me qendër në Londër, që informohet nga aktivistët brenda Sirisë tha se autobomba nga Fronti Al-Nusra, i lidhur me Al Kaedën ndezi luftimet në një pikëkontrolli mes Xharamanas dhe qytetit Mleha, që mbahet nën kontrollin e kryengritësve.
Këta të fundit qëlluan me raketa, ndërsa avionët ushtarakë sirianë u kundërpërgjigjen duke vënë në shënjestër zonat e tyre. Korrespondenti i BBC-së në Liban, Xhim Mjur tha se autobombat janë përdorur shpesh këto muajt e fundit, si pararendësë të taktikave ofensive kryesisht nga kryengritësit.
Ata kontrollojnë pjesën më të madhe të periferisë së Damaskut, por Xharamana, me banorë kryesisht të krishterë dhe druzh, besnikë të presidentit Bashar Al Asad, mbahet ende nga qeveria. Në muajin gusht, një autobombë shpërtheu në periferi dhe shkaktoi vrasjen e 18 personave.
Më herët, Shtetet e Bashkuara i kërkuan qeverisë siriane të lejojë mbërritjen e ndihmave për civilët në Damask, vecanërisht në zonat e kontrolluara nga kryengritësit, të cilët prej kohësh kanë nevojë për ushqime, ujë dhe medikamente.
Situata është kaq e rëndë, sa në fillim të javës, klerikët myslimanë u lejuan besimtarëve të përdornin edhe mishin e maces apo qenit për të mbijetuar, e ndaluar kjo në fenë myslimane. Mbi 100 mijë njerëz kanë humbur jetën në Siri gjatë konfliktit civil që ka hyrë tashmë në vitin e tretë.
Top Channel