Autoritetet e Malit njoftojnë se janë 72 tashmë personat e shpallur të vdekur, pas fundosjes së një varke në lumin Niger, rreth 1 javë më parë.
Ekipet e shpëtimit gjetën trupat e dhjetra pasagjerëve të tjerë, pasi varka u rikthye në sipërfaqe të ujit, deklaroi ministri i Sigurisë së Malit, Sada Samake. Ai shtoi se 210 persona i mbijetuan aksidentit, në të cilën mjeti lundrues u fundos pranë Konna, teksa po i drejtohej veriut nga Mopti, në Timbuktu.
Dëshmitarë thanë se varka ishte e mbingarkuar me pasagjerë. “Ekipet e shpëtimit kanë mundur ta rikthejnë atë në sipërfaqe”, tha gjeneral Samake, gjatë një konference për shtyp të raportuar nga agjencia franceze e lajmeve, AFP.
Ai tha se 72 persona vdiqën, ndërsa 210 i mbijetuan, nga të cilët 11 janë lënduar lehtë. Zyrtarët thanë fillimisht se nga aksidenti kishin mbetur të mbytur 39 persona.
Samake falënderoi ushtrinë franceze për ndihmën e dhënë me ekipet mjekësore pas aksidentit. Varka pësoi një çarje pranë një dege të lumit, në fshatin Koubi.
Duke folur në të njëjtën konferencë shtypi, ministri i Planifikimit të Malit, Abdoulaye Koumare, tha se qeveria ishte duke ndërmarrë masa të reja sigurie, për të shmangur përsëritjen e një tragjedie të tillë.
“Në të ardhmen, këto kanoe do të duhet të pajisen veshje shpëtimi, bombola zjarrfikëse dhe drita për lundrime gjatë natës”, tha ai. Një hetim mbi shkaqet e mbytjes së varkës është ende në proces.
Dëshmitarët thanë se panë varkën të përmbysej për shkak të mbingarkesës. Sipas rezidentëve lokalë, shumica e pasagjerëve mund të ishin shkollarë që ktheheshin në veri për fillimin e vitit të ri akademik.
Top Channel