Washington Post: Dronët iranianë goditën stacionin e CIA-s në ambasadën në Riad
Një zjarr i rënë në portin më të madh të Brazilit ka djegur rreth 180 mijë tonelata sheqer, duke dëmtuar gjashtë magazina dhe duke ngjitur çmimet ndërkombëtare në nivelin më të lartë të vitit.
Sipas BBC, autoritetet në portin e Santosit deklaruan se iu desh gjashtë orë për të vënë zjarrin nën kontroll, ndërkohë që shkaqet e rënies së tij po hetohen.
Brazili është eksportuesi më i madh në botë i sheqerit, duke zënë gjysmën e shitjeve në nivel ndërkombëtar. Terminali i portit që është përfshirë nga flakët i përket gjigandit brazilian të sheqerit Copersucar.
Aktualisht në port funksionojnë vetëm katër terminale, bëjnë të ditur autoritetet lokale. Analistët deklarojnë se Brazili ka kapacitetet e duhura për të vazhduar eksportet e tij të zakonshme.
“Tregjet ndërkombëtare reagojnë sepse e dinë që atje do të ketë një rënie të përkohshme. Por terminalët e tjerë me siguri do të arrijnë ta përballojnë fluksin”, deklaron analisti i tregjeve Plinio Nastari.
Çmimet e sheqerit në Nju Jork u ngritën me 6 për qind pas publikimit të lajmit për zjarrin, por ranë sërish më vonë gjatë ditës.
Autoritetet portuale deklaruan se bëhet fjalë për zjarrin më të madh të rënë ndonjëherë në portin e Santosit, që eksportoi 12.8 milionë tonelata sheqer në tetë muajt e parë të vitit.
Porti ndodhet rreth 80 kilometra larg qytetit të Sao Paulos. Ai ka qenë pika kryesore e eksportit të kafesë braziliane në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe atë të njëzetë, si dhe pika kryesore e hyrjes së miliona emigrantëve evropianë që mbërritën në Brazil deri në vitet 1950.
Top Channel