Washington Post: Dronët iranianë goditën stacionin e CIA-s në ambasadën në Riad
Ushtria australiane po heton nëse zjarret masive që kanë përfshirë
shtetin Nju South Uells mund të jenë shkaktuar nga përdorimi i
eksplozivit në një stërvitje ushtarake.
Stërvitja u krye në një bazë në afërsi të qytetit Lithgou, në rajonin e Maleve Blu ditën e mërkurë. Bëhet fjalë për të njëjtën ditë kur ra masivi i zjarrit, i cili vazhdon të jetë aktiv.
Korrespondenti i BBC në Sidnej deklaron se këtë vit zjarret janë verifikuar çuditërisht më herët pas një moti të nxehtë, që po shkakton frikë për një verë të rrezikshme.
Rreth 200 shtëpi janë shkatërruar deri tani. Mësohet se një person ka vdekur, për shkak të një ataku të mundshëm kardiak, teksa tentonte të mbronte banesën e tij nga flakët.
Forcat Mbrojtëse të Australisë shpërndanë një deklaratë për zjarret e rëna mes lokaliteteve Lithgou dhe Bilpin, rreth 80 kilometra në veri-perëndim të Sidnejit, që thuhet se ka djegur rreth 30 mijë hektarë tokë dhe shkatërruar shumë prona.
Institucioni ushtarak bëri të ditur se po heton rrethanat e rënies së zjarrit, që nisi në një zonë ushtarake. “Zjarri ra më 16 tetor, të njëjtën ditë kur personeli ushtarak po kryente një aktivitet stërvitor me eksploziv. FMA po heton nëse dy ngjarjet janë të lidhura mes tyre”, thotë deklarata.
“Mendjet tona janë tek njerëzit që kanë humbur pronat e tyre, ose të cilëve prona u rrezikohet nga zjarret shkatërruese”, vijon komunikimi për shtyp.
Zjarrfikësit janë përpjekur të përfitojnë nga ditët me mot të ftohtë për të frenuar rreth 20 zjarre që po dalin nga kontrolli, por temperaturat e larta dhe erërat e forta në ditët e ardhshme pritet të krijojnë vështirësi.
Top Channel