Personi që po hetohet nga drejtësia norvegjeze për sulmin mbi qendrën tregtare në Kenia është Hassan Abdi Dhuhulow, mësoi “BBC” gjatë së premtes.
23-vjeçari është një shtetas norvegjez me origjinë somaleze, i dyshuar se ka lidhje me organizatën e Al-Shababit.
Gazetarë të “BBC” u lidhën me familjen e tij në Norvegji, ku i thanë se i riu kishte lënë qytetin e Larvikut në vitin 2009, për t’u bashkuar me lëvizjen militantenë vendin e varfër afrikan.
Të paktën 67 persona mbetën të vrarë në sulmin e ndërmarrë në Najrobi në muajin Shtator, nga organizata me lidhje të ngushta me Al-Kaedën.
Një javë më parë, Shërbimet Sekrete Norvegjeze dërguan disa oficerë në Kenia, për të verifikuar raportimet se një nënshtetas ishte i përfshirë në sulmin ndaj qendrës tregtare.
Për momentin, është i paqartë numri i terroristëve që realizuan këtë sulm, ndonëse në vlerësimet e policisë dhe nga konsultimi i video të sigurisë duket se bëhet fjalë për 10-15 agresorë.
Hassan Abdi Dhuhulow besohet se është një prej katër terroristëve, fytyra e të cilit është kapur qartësisht në kamera.
Top Channel