I shumëkërkuari nga drejtësia amerikane pas publikimit të një sërë sekretesh të klasifikuara në media, Edward Snowden, deklaroi se asnjëherë nuk ka pasur një bashkëpunim me Shërbimet Sekrete Ruse apo autoritete të tjera të vendit ku ndodhet i strehuar politikisht.
Ish-punonjësi i CIA-s, Snowden ishte personi që bëri të njohur për botën ekzistencën e një programi të spiunimit kompiuterik nga ana e autoriteteve amerikane.
Programi në fjalë ngjalli reagime të ashpra botërore, pasi ai përfshinte edhe përgjimin e qeverive të huaja dhe të komunikimit kompiuterik të të gjithë personave të përzgjedhur prej shërbimeve sekrete.
Uashingtoni përligji ekzistencën e këtij programi me nevojën e kontrollit për të shmangur kërcënimet terroriste.
Në një intervistë te publikuar te premten ne “New York Times”, Snowden deklaroi se të gjithë dokumentat që ka pasur në dispozicion ia ka dorëzuar gazetarëve në Hong Kong, përpara se të fluturonte drejt Rusisë, ku iu aprovua kërkesa për strehim politik.
29-vjeçari saktësoi se nuk i bëri asnjë kopie dokumentave të tij dhe se nuk është në dijeni apo zotërim të asnjë dokumenti tjetër sekret, ndaj edhe besimi i përhapur popullor për bashkëpunim të tij me inteligjencën ruse është i pabazë.
Pavarësisht deklaratave të Snowden, në mediat amerikane vazhdojnë të qarkullojnë spekulime se ai ka punuar që më parë me inteligjencën kineze apo atë ruse.
Top Channel