A është ky një model për qeverisje bipartizane, apo një zgjidhje afatshkurtër që vetëm sa ka “ngrirë” pozicionet e mbajtura prej kohësh?
Demokratët dhe republikanët kanë konsiderata ekstremisht të ndryshme, të enjten, në lidhje me marrëveshjen e kaluar nga Kongresi dhe të nënshkruar nga presidenti Barack Obama, që i dha fund mbylljes së pjesshme 16-ditore të qeverisë dhe shmangu një faliment të mundshëm të SHBA-ve.
Qindra e mijëra punëtorë federalë u rikthyen në punët e tyre anembanë vendit dhe monumentet kombëtare, si Harku i Portës në St Louis, u rihapën pas marrëveshjes së konsideruar si një fitore për Obamën, për shkak se ajo nuk përfshinte ndryshime substanciale në reformat e nënshkruara prej tij të kujdesit shëndetësor, të sulmuar prej konservatorëve.
Në një deklaratë të ashpër e të zymtë, presidenti sfidoi republikanët e ekstremit të djathtë të hiqnin dorë nga ideologjia e tyre anti-qeveritare dhe të ndryshojnë sipas nevojave që duhen bërë punët në Washington.
Bllokimi “i shkaktoi dëme tërësisht të panevojshme ekonomisë sonë”, duke ulur rritjen dhe duke rritur kostot e borxheve, tha Obama, duke deklaruar se “nuk ka fitues në këtë mes”.
Në të njëjtën kohë, ai fajësoi ngërçin që “flirtoi” me mundësinë e parë në histori për falimentimin e SHBA-ve, për shkak të taktikave anti-kompromis të republikanëve të “Tea Party” në Kongres, duke thënë se “populli amerikan është ngopur tashmë me Washington-in”.
“Le të punojmë bashkë për të bërë qeverinë të punojë më mirë, në vend që ta trajtojmë atë si një armike apo qëllimisht ta bëjmë të punojë më keq”, tha Obama, duke iu drejtuar drejtpërdrejt konservatorëve të “Tea Party”.
“Ju nuk pëlqeni një politikë të veçantë apo një president të veçantë? Atëherë argumentoni pozicionin tuaj. Shkoni në zgjedhje dhe fitojini ato”, shtoi ai. “Kërkoni ta ndryshoni atë, por mos e thyeni atë, sepse kjo nuk është gjëja e duhur e besnike e asaj që kërkon vendi”.
Duke thënë se “ne nuk mund të degjenerojmë në urrejtje”, ai e përfundoi deklaratën duke cituar një pjesë të Zotimit të Besnikërisë, që thekson se Amerikan është “një komb, me një Zot, e pandarë, me liri dhe drejtësi për të gjithë”.
Top Channel