Gjirokastër, mjekët protestojnë për dhunën

17/10/2013 00:00

Dhjetëra mjekë dhe infermierë të spitalit rajonal në Gjirokastër kanë
pezulluar punën për një orë, për të protestuar ndaj dhunës dhe presionit
të vazhdueshëm ndërsa ushtrojnë profesionin.

Dy ditë më parë familjarë të një personi që mbërriti në spital pa asnjë shpresë për jetën kanë dhunuar stafin e urgjencës duke i akuzuar se nuk kanë shërbyer në kohë. Një mjek dhe dy infermierë janë goditur me grushta dhe sende të forta brenda mjediseve të spitalit. Dhunuesit kanë thyer edhe xhama të fasadës së spitalit.

Mjekët thonë se situata po bëhet gjithnjë e më e tensionuar. Ata kërkojnë mbrojtje prej ligjit, ndërsa ushtrojnë profesionin dhe mirëkuptimin e publikut për misionin e tyre.

“Ka patur dhunim institucioni, dhunim të bluzave të bardha. Në heshtjen më të plotë, duam të deklarojmë dhimbjen tonë kundër kësaj dhune”, thotë mjeku Murat Kaci.

“Bashkohemi me dhimbjen e familjarëve për problemet e tyre që kanë kur vijnë në spital. Por kjo nuk do të thotë që në momentin që vijnë në spital të ketë dhunë ndaj bluzave të bardha”, thotë presidentja e ‘Urdhërit të Mjekut’, Figali Kobuzi.

Stafi i shërbimit spitalor flet për raste të përsëritura të dhunës ndaj tyre, presion psikologjik dhe mbylljen e të gjitha padive të ngritura ndaj dhunuesve.Pritet që greva të vazhdojë nëse sipas organizatorëve të grevës nuk do të merren masa. Spitali Rajonal ‘Omer Nishani” në Gjirokastër është qendra më e madhe spitalore në Jug me një kapacitet prej 600 shtrerër ku ofrohen shërbime për pacientë nga të paktën 5 rrethe të Jugut të vendit.

Top Channel