Festa e Kurban Bajramit

15/10/2013 00:00

Edhe pse në një ditë me shi, mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën
mëngjesin e të martës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet,
për të kryer faljen e Kurban Bajramit.

Kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça i uroi gjithë besimtarët myslimanë për një jetë më të begatë dhe mbarësi në familjet e tyre.

“Ju uroj të gjithë shqiptarëve, Gëzuar Festën e Kurban Bajramit, me të mira, me gëzime, me familjarët dhe afërmit”, uroi Selim Muça.

Një urim për Kurban Bajrimin, drejtoi dhe Kryegjyshi i Bektashinjve.

“Në këtë Kurban Bajram njeriu tregon sakrificat që bën ai për nder të Perëndisë dhe tregohet dashuria e Zotit ndaj njeriut. Kjo është një ditë e madhërueshme të paqes, miqësisë dhe dashurisë mes njëri-tjetrit. Zoti na bekoftë të gjithëve”, uroi kryegjyshi Edmond Brahimaj.

Nga ana tjetër, Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra falenderoi të gjithë ata besimtarë, të cilët pavarësisht shiut, u mblodhën për të kryer faljen e Kurban Bajramit. I pyetur lidhur me ndërtimin e xhamisë së re në kryeqytet Gurra theksoi se tashmë kjo gjë nuk ka më asnjë diskutim, pasi ka mbështetjen e të gjithë opinionit dhe politikës shqiptare.

“Jam i bindur se besimtarët janë paralel me mendimin e Qeverisë për ta mbyllur këtë kapitull, për ndërtimin e xhamisë së re. Myslimanët jo vetëm kanë shpresë, por besojnë fuqishëm që tashmë kapitulli i xhamisë duhet të mbyllet. Nuk ka asnjë arsye, ka edhe një vullnet tepër pozitiv nga vetë Qeveria për ta mbyllur këtë kapitull, sigurisht në mënyrën më fisnike”, tha Myftiu.

Myftiu i Tiranës Gurra ka zbuluar për Top Channel dhe një detaj lidhur me xhaminë e re. Sipas tij, edhe pse ende nuk është zyrtarizuar, emri i xhamisë është vendosur.

“Ne do të mbetemi në respekt të vlerave tona kombëtare, ndoshta do të quhet Xhamia e Namazgjasë. Do të jetë ndoshta emri më i përshtatshëm për të”, thotë Myftiu Gurra

Pas faljes së mëngjesit të gjithë besimtarët myslimanë i drejtohen banesave të tyre, ku dhe kryejnë ritin tradicional të prerjes së Kurbanit.

Festime edhe në Kosovë

Mijëra besimtarë myslimanë në gjithë territorin e Kosovës kanë falur Kurban Bajramin.Kurban Bajrami në kalendarin mysliman vlerësohet si dita kur takohet forca e të pasurit me dobësinë e të varfërit.

Ne lutjet e besimtarëve në xhamin e madhe në Prishtinë myftiu i Kosovës, Naim Tërrnava kërkoi mëshirë dhe drejtësi ndaj familjeve që jetojnë në skamje, bamirësi dhe përkrahje për ta.

Si zakonisht lëmoshkërkuesit kishin ‘bllokuar’ të gjitha hyrje dalet e xhamive.Nga çdo besimtar ata kërkonin para.Shuma nga ata ishin rome nga Shqipëria të cilët kishin ardhur enkas për lëmoshë.

Therja e Kurbanit në besimin islam më shumë ka domethënie humanitare. Kurbani është tregues dhe shenjë e devotshmërisë në kryerjen e dispozitave të Allahut të Gjithëmëshirshëm, pasi mishi i qingjit ndahet në shtatë pjese duke u shpërndarë tek familjet e varfëra.

Me këtë festë kurorëzohet edhe shkuarja në Haxh, një ndër kushtet me të rëndëshime të Islamit.Në nder të kësaj dite Bashkësinë Islame të Kosovës ashtu si çdo festë tjetër është vizituar nga liderë insitucionalë, përfaques të partive politike, shoqërisë civile dhe jo vetëm.

Festa e Bajramit në Maqedoni

Festa e Kurban Bajramit ka stërmbushur xhamitë me besimtarë myslimanë në të gjitha qytetet e Maqedonisë ku jetojnë ata.

Festa ka nis me faljen e namazit të Bajramit. Përveç mesazheve për paqe dhe dashuri mes përfaqësuesve të të gjitha komuniteve që jetojnë në Maqedoni, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Sulejman Rexhepi, porositi besimtarët të jenë të vëmendëshëm në therrjen e Kurbanit, si një obligim shumë i rëndësishëm që duhet përmbushur gjatë kësaj feste.

“Therja e kurbanit nuk është traditë por është kategori fetare, është obligim fetar dhe duhet myslimanët të jenë të vemendëshëm edhe pse jemi të vetëdijshëm se populli mysliman në Maqedoni, është populli më i devotshëm. Prandaj BFI mburret me ithtarët e islamit në vendin tonë. Edhe një herë urime festën e Kurban Bajramit. Apeloj deri tek familjet, të vizitojnë njëri tjetrin, të përhapin dashurinë dhe harmoninë mes veti, të përhapoin paqën dhe sigurinë në tërësi me të gjithë ato që jetojmë në Maqedoni”, tha Sulejman Rexhepi, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni.

Kreu i Bashkësia Islame njoftuoi se këtë vit në Haxh ndodhen rreth 900 besimtar nga Maqedonia, për të cilët u lut që tu pranohen adhurimet që kanë bërë.Besimtarët myslimanë me rastin e kësaj feste kanë marrë urime nga të gjithë krerët politikë dhe shtetëror në Maqedoni.

Top Channel