“Mjedisi, emergjencë kombëtare”

11/10/2013 00:00

Në një tryezë të përbashkët me shoqatat e shoqërisë civile në fushën e
mjedisit, ministri Lefter Koka e cilësoi situatën mjedisore në vend, si
emergjencë kombëtare dhe kërkoi sygjerime, se në cilat fusha duhet të
ndërhyhet më parë.

“Ne jemi në prag të ngritjes të një komiteti ministror, në fakt edhe Ligji i Menaxhimit të Mbetjeve na detyron, për t’i propozuar Qeverisë shqiptare shpalljen e një situate emergjence në shumë akse nacionale, por edhe në zona të tjera shumë të ndotura”, tha Koka.

Ministri i Mjedisit, duke iu referuar shkatërrimit të pyjeve, deklaroi se po punohet për një projektligj për frenimin e eksportit të lëndës drusore dhe qymyrit të drurit.

“Pyjet dhe lumenjtë kanë pësuar një dëmtim shumë të madh. Pikërisht nesër kemi një bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme për t’u bërë palë në këtë aksion të madh në mbrojtje të pyjeve. Me një projektvendim, që shumë shpejt do ta paraqesim para Këshillit të Ministrave, do të ndalojmë eksportin e drurit të papërpunuar, eksportin e qymyrit të drurit”, tha Koka.

Përfaqësues të shoqatave të mjedisit akuzuan sipërmarrës, të cilët qëndrojnë pas zjarreve në pyje, për t’i hapur udhë biznesit të shitjes së drurëve në zonat e djegura. Ata propozuan që të konsiderohen me emergjencë ndotja nga mbetjet urbane, shkatërrimi i pyjeve dhe lumenjve.

Ata kërkuan zbatimin e ligjit për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, për t’i hapur rrugë riciklimit të mbetjeve në vend. Sipas tyre duhet të aplikohen masat ndëshkuese, si në çdo vend tjetër, duke filluar nga qytetarët që hedhin mbeturinat e deri tek bizneset.

Top Channel