“Rilindje” apo rilindja e konfliktit politik

10/10/2013 00:00

Pas kthimit nga SHBA ku qëndroi për disa ditë, kabineti Rama është mbledhur disa herë, duke marrë disa vendime që kanë synuar në kthimin pas të disa vendimeve të rëndësishme të mazhorancës së shkuar apo në disa ndryshime radikale në adminisrtratë, por edhe në Policinë e Shtetit, ku kupola e saj drejtuese është shpërbërë dhe ringritur nga e para.

Megjithatë, ka qenë mosmarrëveshja për aktin e ri normativ për nëpunësin e shtetit, ajo që po krijon një ngërç të vërtetë, me opozitën që është tërhequr ndonëse jo zyrtarisht nga Kuvendi dhe komisionet prej një jave.

Me fokusin në këto zhvillime, a është ky fillimi i rilindjes së premtuar apo vetëm rilindja e një konflikti të vjetër midis të dy palëve të politikës shqiptare?

Për të biseduar rreth të gjitha këtyre, në studion e “Top-Story”, emisionit të përjavshëm politik të Sokol Ballës mbërritën të ftuarit Genc Pollo, ish-ministër dhe deputet i Partisë Demokratike e Alfred Peza, deputet i Partisë Socialiste.

Përballë tyre, analistët Arjan Vasjari nga gazeta “MAPO”, Afrim Krasniqi, Shpëtim Nazarko dhe Aleksandër Çipa.

Në lidhje me këto fakte, i pari që mori fjalën në studio ishte zoti Peza. “Ajo që ka ndodhur këto ditë nuk është gjë tjetër përveçse se marrja e pushtetit real nga PS-LSI. Ky koalicion ka ardhur në qeverisje, por nuk kanë ardhur ende në pushtet dhe që të vijnë në pushtet. Pasi nuk votohet një koalicion me 84 deputetë e 1 milionë vota vetëm për 20 karriget në Parlament. Në mënyrë që të ushtrosh pushtetin duhet të realizosh disa lëvizje dhe që të realizohet kjo ka një numër të caktuar postesh politike në administratë, që menaxhohen e administrohen nga njerëzit e qeverisë së mandatuar për të zbatuar programin e qeverisë edhe detyrimet që kanë ndaj qytetarëve, e programi i qeverisë u miratua vetëm në seancat e para të shtatorit në Parlament”, deklaroi Peza.

“Ajo që po ndodh është që çdo ditë, në progresraportin e BE-së për Shqipërinë është thënë tekstualisht që Shqipëria ka një administratë të politizuar, korruptuar dhe klientelite. Ne do të vazhdojmë me këtë administatë apo të bëjmë ndryshimet e duhura brenda ligjit dhe kushteturës? Nga ana tjetër, PD është duke bërë atë punë që bën çdo opozitë në botë, por po bërtet më shumë sepse po ikën nga pushteti. Ne ende nuk jemi në pushtet, për momentin është ende PD dhe Berisha, që po përpiqet të qëndrojë ende në pushtet. Kam fakte dhe argumenta të pafundme krahuar me sjelljen e mazhorancës së shkuar gjatë 2005-s, por këto di t’i themi gradualisht”, shtoi deputeti socialist.

Duke shfaqur argumentat e tij të kundërta, Pollo nisi analizën e tij. “Nëse analizojmë këtë moment të rëndësishëm politik, ndërrimin e pushtetit dhe shkallën e civilizimit të tij, mendoj se dorëzimi i pushtetit tek PS është me distancë të madhe më i civilizuari që ka ndodhur në Shqipëri. Ka ndodhur në 2005-n me Nanon, por jo në këto nivele, kur i lideri i partisë në pushtet pranoi rezultatin dhe i uroi mbarësi pasardhësit, precedent që shpresoj edhe në ndërrimin e ardhshëm. Kryetari i ri i PD, Lulzim Basha, në fjalën e tij në prag të hapjes së Kuvendit i uroi mbarësi zotit Rama dhe opozitës së dekretuar për të mirën e vendit, duke theksuar rolin e PD si opozitë parlamentare. Edhe Berisha në fjalimin e Ramës qëndroi i pranishëm, e më pas tonet e fjalimit shkaktuan atë largim nga salla. Kollaj të kritikosh tjeterin, por procesi i brendshëm i PD-së po kryhet si reflektim, kritikë dhe rinovim i strukturave. Gjatë prezantimit të programit kam thënë se ajo që duhet të bëjmë ne është një sfidë ndaj qeverisë me qëllimin të fitojmë zgjedhjet e ardhshme, e këtë duhet ta bëjmë pa bojkote, greva në çadra si Rama, e kështu me radhë”.

“ Ajo që është në fokus çdo ditë është qeveria dhe me këtë duhet të mësohen, pasi për më tepër, kjo qeveri shfaqet problematike që në ditët e para”, deklaroi Pollo. “Unë, përpara 12 vitesh, kur Rama asokohe ishte kryetar bashkie, pasi nuk u mor vesh me shkresa me “AlbTelecom” e “Kesh” për një shtyllë, gjeti rrugën më të shkurtër e mori sopatën. Atëherë e kam quajtur gjest jakobin dhe që nga ofiqarët është mirë të evidohet.  Ajo që vëmë re për problemet që shfaqen është një jakobinizëm jo me sopatë, por mes shkeljes së ligjit. Shteti ligjor nis tek zbatimi i procedurave. Qeveria bëri mbledhjen e parë fill pas betimit dhe në mbledhjen e parë miratoi projektligjin për mbetjet. Berisha në 2005-n e bëri mbledhjen e parë e bëri disa javë pas betimit pasi u përgatitën aktet e para, sepse e di që një projektligj s’mund të bëhet që ditën e parë sepse në fillim çohet tek Ministria e Drejtësisë dhe ai projektligj vetëm sot u votua në Kuvend. Teknikisht ishte i paligjshëm votimi i sotëm. Emërimet në polici janë të paligjshme sepse ata funksionarë nuk plotësojnë kriteret për postet ku janë emëruar, shumë emërime të tjera janë bërë në shkelje të procedurës. Është normale që disa titullarë do të largohen dhe ne këtë e pranojmë, por edhe largimet kanë procedura. Debati i Partisë Demokratike nuk lidhet me largimet, por me procedurën e shkarkimeve dhe me personat e zgjedhur, që shpesh duken të nënshtruar dhe pa eksperiencën e nevojshme për këto pozicione”.

“Vetëm në Shqipëri ndodh që shumë persona të deleguar njerëz politikë caktohen në pozicione që duhet të jenë funksione teknike. Ajo që më bën përshtypje nga të dy palët. i kam besuar nevojës së rotacionit, por shpesoj që ai të mos ndryshojë invididë, por të ketë debat e reformë në konceptin për shtetin. Ky ka qenë premtimi kryesor i rilindjes. Duhen akte konkrete që të dalim nga tranzicioni. Jeta politike në një vend serioz është kur një palë e refuzon nëse nuk është dakord ose pranon propozimet kur bie dakord. Aktet parlamntare kanë qenë minore deri tani, e kam mirëpritur ndalimin e ligjit të mbetjeve, por më shumë do të dëshiroja referendumin që të mësohemi me mentalitetin e referendumit pavarësisht kosotos. Nga ana tjetër në fokus janë edhe praktikat, por mbaj mend që nga Zëri i Amerikës morëm vesh që do të na ndryshojë Shërbimi Sekret. Këto s’duhet të ndodhin dhe klasa politike duhet të kuptojë gabimet e të shkuarës, administrata nuk mund të ndahet me detyrime dhe përqindje postesh”, deklaroi nga ana e tij zoti Krasniqi.

Në marrjen e fjalës, Nazarko komentoi vendimet e para të marra nga kjo qeveri: “Po i referohem vendimeve, nga plehrat tek dogana dhe akti normativ. Filloj me kritikë të drejtëpërdrejtë me Ramën, pa diskutim që Shqipëria është koshi më i madh i plehrave, por nga ana tjetër duhet të kuptojmë që këtu kemi industri riciklimi dhe janë hedhur disa para. Nëse ke vendosur të bësh akt të parë heqjen e plehrave ke përkrahjen e të gjithë shqiptarëve, por unë do të kisha mbledhur këta investitorë, që kanë hedhur para, e duke anulluar importin do të miratoja një paketë të re ligjore për të shpëtuar edhe investimin e tyre”.

Deputeti demokrat, Genc Pollo duke u ndalur tek argumenti i qeverisë mbi shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil, tha se ai nuk qendron. “Argumentimi nga qeveria, nga kryeministri dhe ministrat për rritjen e kostos nuk është i vërtetë. Ligji nuk rrit koston, numri i punonjësve qendron po aq sa është. Aktet nënligjore nuk e pengonin qeverinë që të punësonte apo ndëshkonte punonjësit e korruptuar të administratës”, tha ai.

Ndërkohë, deputeti socialist, Alfred Peza tha se në dy javë, Partia Socialiste dhe gjithë mazhoranca e re kanë hedhur themelin e reformave të thella, sipas tij me bazë strukturore dhe jo thjesht ndërrim drejtuesish apo personash. Peza solli në kujtesë titujt dhe artikujt e gazetave të tetorit të 2005-ës, një muaj pas ardhjes së PD-së në pushtet dhe spastrimet, sipas tij, të bëra në administratë në atë kohë.

Pollo deklaroi se në struktura të caktuara të shtetit, si policia e shtetit është mirë që të ketë një vazhdimësi dhe të mos ndërrohen në bazë të ndryshimeve politike. Lidhur ne ligjin për nëpunësin civil, Pollo tha se më shumë nisma e Ramës për shtyrjen e hyrjes në fuqi të tij duhet parë në rrafshin politik tek shkelja e konsensusit. “Rama i bëri atentat konsensusit”, tha ai.

Top Channel