Tensionet midis SHBA-së dhe Libisë janë në rritje, pas dhunimit të sovranitetit të shtetit afrikan, në një operacion të paautorizuar prej Tripolit zyrtar, që çoi në arrestimin e një të shumëkërkuari për terrorizëm.
Forcat speciale amerikane, të informuara nga burimet e tyre të inteligjencës, realizuan gjatë javës së shkuar kapjen e Abu Anas al-Libit, një prej figurave më të larta të Al-Kaedës në rajon.
Në shenjë proteste, Libia thirri të martën ambasadorin amerikan në vend, për t’i kërkuar shpjegime dhe për t’i paraqitur një notë proteste.
Operacioni i arrestimit të Al-Libit u realizua nga 200 trupa të armatosur rëndë, të cilët përdorën si pikë nisje dhe mbërritje një bazë të NATO-s në Itali.
Al-Libi besohet se është transportuar ndërkohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përballet me akuzat për terrorizëm.
Ai dyshohet se është një prej arkitektëve të vendosjes së dy bombave në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998, sulme nga të cilat gjetën vdekjen 220 persona, përfshirë edhe shumë punonjës të ambasadave.
Top Channel