Barack Obama shprehet i gatshëm të zhvillojë bisedime për buxhetin me republikanët, por vetëm nëse ata pranojnë të zhbllokojnë ngërçin kërcënues për ekonominë e vendit.
Presidenti amerikan e përshkroi qëndrimin e kundërshtarëve, në raport me afrimin e afatit të 17 tetorit për caktimin e tavanit të borxhit, si degradim nga “menaxhim politik” në “zhvatje”.
Negociatat nuk mund të zhvillohen nën klimën e kërcënimeve të paralizimit të qeverisë, apo dështimit financiar, të cilat të qëndrojnë pezull mbi kokat e amerikanëve, tha Obama.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë u bëri thirrje republikanëve të lejojnë votimin në Kongres për buxhetin, në mënyrë që t’i jepet fund mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane, aktualisht në javën e dytë, ndërsa kujtoi se nuk duhet nënvlerësuar dhe rreziku tjetër, që kanoset në mes të muajit.
“Kapërcimi i kufirit të borxhit do të trazonte tregjet, do të minonte besimin ndërkombëtar tek Amerika, do të rriste në mënyrë të përhershme kostot e huamarrjes e do të përbënte në thelb, rrezikun tepër domethënës të një recesioni shumë të thellë”, tha Obama.
Departamenti i Thesarit do të mbetet pa fonde më 17 tetor, kur pritet të arrihet tavani i tanishëm i borxhit, që është 16,7 trilionë dollarë.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, të kontrolluar nga republikanët, John Boehner, përsëriti qëndrimin e partisë së tij për bisedime me presidentin, lidhur me shkurtimin e defiçitit buxhetor, por demokratët pretendojnë se, përveç deklaratave publike, republikanët nuk kanë ofruar deri më tani ndonjë qasje serioze për zgjidhjen e ngërçit politik, por thjesht kanë vendosur ta lënë kohën të kalojë.
Top Channel