Putin: Armët kimike zhduken për 1 vit

08/10/2013 00:00

Rusia është besimplotë për faktin se ekspertët do të arrijnë të
eliminojnë armët kimike të regjimit të Damaskut brenda një viti.
Deklaratën e ka bërë vetë presidenti Vladimir Putin në përfundim të
samitit të APEC në Bali të Indonezisë.

“Jam i kënaqur që edhe presidenti Obama është në të njëjtën linjë”, ka shtuar Putin duke iu referuar marrëveshjes së arritur mes qeverisë së tij dhe asaj të Uashingtonit.

Një ditë më parë sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry tha se regjimi i Bashar al Assad meriton të vlerësohet për përmbushjen e afateve të marrëveshjes për armet kimike. Pas takimit me homologun e tij rus, Sergei Lavrov në samitin e Indonezisë, Kerry vleresoi bashkëpunimin me Moskën.

“Duhet të vlerësojmë regjimin e Assad që po e përmbush marrëveshjen me shpejtësi. Ne shpresojmë që kjo tendencë do të vazhdojë. Unë nuk do t’ju premtoj atë që do të ndodhë muajt e ardhshëm, por është një fillim i mirë. Ne duhet të mirepresim fillimin e mbarë”, u shpreh Kerry.

“Pala ruse do të bëjë çdo gjë, kështu që Damasku do të vazhdojë bashkëpunimin pa më të voglin ndryshim”, tha nga ana tjetër ministri i Jashtëm rus, Lavrov.

Deklaratat erdhën pas atyre të vëzhguesve ndërkombëtare, të cilët konfirmuan nisjen e procesit të shkatërrimit të armëve kimike. Misioni u ngrit mbi bazën e rezolutës së Kombeve të Bashkuara, e cila u miratua pas marrëveshjes së arritur mes Shteteve te Bashkuara dhe Rusisë.

Shkatërrimi i arsenalit të armëve kimike mbikëqyret nga një ekip i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike. Procesi konsiderohet një proces jo i thjeshtë, sepse ka armë që ndodhen në zona konflikti.

Është hera e parë që Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, me qendër në Hagë, i kërkohet të vëzhgojë shkatërrimin e armëve kimike gjatë konfliktit që ka marrë qindra mijëra jetë njerëzish.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB