Itali, shpëtohen 250 emigrantë në jug

08/10/2013 00:00

Ka mbërritur mëngjesin e së martës në portin e Katanias, në ishullin e
Siçilisë, një anije me flamur panamez që të hënën kishte rekuperuar 250
emigrantë nga një varkë në vështirësi.

Ndërkohë, një tjetër varkë daneze ka marrë në bord 140 klandestinë të tjerë, që dyshohet të jenë sirianë, mes të cilëve 28 fëmijë dhe 39 gra, që ndodheshin në një varkë në avari.

Lajmin e bën të ditur agjencia “ANSA”, sipas të cilës anija në fjalë është drejtuar për në portin e Pocalos, ndërkohë që operacionet e shpëtimit janë koordinuar nga kapiteneria e portit të Romës.

Numri i madh i refugjatëve të mbytur përpara brigjeve të ishullit të Lampeduzës në Itali tronditi zyrtarët europianë. Reagimet qenë të ashpra, por shumë shpejt pas tyre u rishfaq debati i hershëm mbi trajtimin që u duhet rezervuar klandestinëve.

Duke qenë se gjithësecili prej anëtarëve të bllokut ka politikat e veta për azilin dhe refugjatët, një linjë e përgjithshme europiane për këtë çështje, ende nuk është përvijuar.

Shumë nga vendet e Kontinentit të Vjetër përpiqen t’i mbajnë klandestinët sa më larg kufijve të tyre, prandaj shtetet më të prekura si Italia apo Greqia, të konsideruara portat hyrëse në Europë, përballen të vetme me këtë problem madhor.

Vendet e bllokut kanë rënë dakord prej vitesh që kërkesën për azil refugjatët ta bëjnë atje ku kanë shkelur për herë të parë tokën e BE-së dhe të tjerët nuk janë të detyruar me ligj të tregojnë solidaritet.

Thirrjet për një politikë të përbashkët europiane vazhdojnë prej kohësh dhe një prej zërave më të fuqishëm në këtë drejtim ka qenë ai i komisioneres për çështjet e brendshme, Cecilia Malmstrom.

Ajo këmbëngul që Bashkimi Europian të pranojë më shumë njerëz në nevojë, ndërsa prek edhe një tjetër aspekt jo më pak të rëndësishëm të çështjes: faktin që kontrabanda e njerëzve është një krim i cili u sjell bandave fitime të mëdha e që duhet frenuar me çdo kusht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB