Demonstratat në Rio de Janeiro janë kthyer në përleshje, teksa mësuesit grevistë dhe mbështetësit e tyre dolën në rrugë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj niveleve të pagave, ndërkohë që policia kishte marrë masa të ashpra kundër tyre.
Organizatorët u “derdhën” me mijëra në qendër të qytetit brazilian mbrëmjen e së hënës, duke demonstruar së bashku me mësuesit, të cilët kërkojnë rritje page dhe një rishikim të sistemit të edukimit.
Protestuesit folën gjithashtu kundër asaj, që shumica e konsideruan si përdorim të tepruar të forcës nga policia, ndaj mësuesve protestues një javë më parë.
Protestuesit kishin refuzuar më parë propozimin e qeverisë për një rritje page prej 15%. Angela Tenorio, një doktoreshë në demonstratë, tha se bashkimi ishte i nevojshëm.
“Jam në mbështetje të kësaj proteste të unifikuar. Duhet të bashkohemi edhe më shumë për të shkatërruar korrupsionin. Ne nuk kemi politikanë, kemi hajdutë, njerëz të poshtër dhe horra”, tha Tenorio.
Protestat nisën paqësisht, teksa demonstruesit u dyndën në një nga bulevardet kryesore të qendrës së Rio-s. Sipas policisë, rreth 10 mijë vetë kishin dalë në protestë. Sindikata e mësuesve, gjithsesi, foli për rreth 50 mijë njerëz të zbritur në rrugë.
Edhe pse nisën paqësisht, skena u kthye shumë shpejt në një skenë të dhunshme, pasi policia hodhi gaz lotsjellës ndaj turmës, ndërkohë që protestuesit u përgjigjën duke i gjuajtur me gurë dhe me bomba molotov.
Demonstrues të maskuar i vunë flakën plehrave të drunjta dhe thyen xhamat e dyqaneve. Një nga “viktimat” më të mëdha të vandalizmit të kësaj nate rezultoi të ishte një autobus ndërqytetas, i cili u dogj tërësisht.
Incidentet vijnë vetëm një javë pasi një tjetër demonstratë e mësuesve u kthye në kaos gjatë javës së kaluar, për shkak të përplasjeve.
Top Channel