Të paktën katër të vdekur pas shembjes së një ure në Spanjë, një i shpëtuar dhe dy të zhdukur
Shefi i Agjencisë për kontrollin dhe tregtinë e kokës në Bolivi është arrestuar nën akuzat se ka shitur ilegalisht koka të sekuestruar dhe për krime të tjera.
Prokurorët deklaruan se Luis Cutipa devijoi 45 tonelata gjethe koke dhe ia kaloi përmes njerëzve të tij një bosi të drogës.
Zoti Cutipa akuzohet gjithashtu për falsifikim dokumentesh për të marrë detyrën dhe përfitime nga rritja e çmimit të liçencave të shitësve të gjetheve të kokës.
Nga ana e tij ai i mohon akuzat, duke thënë se fondet shtesë shkuan në llogari bankare zyrtare. Por prokurorët thonë se do ta akuzojnë atë për neglizhencë, zhvatje, abuzim me anë të detyrës dhe shkelje të ligjit e Kushtetutës.
Ndërkohë, një hetim i veçantë po kryhet në lidhje me dyshimet e falsifikimit të dokumentave që ai prezantoi për të siguruar vendin e punës.
Në reagimin e tij, Cutipa deklaroi se ai ishte detyruar të rriste çmimin e liçencave pasi agjencia po humbiste fonde pas vendimit të presidentit Evo Morales për të dëbuar agjencinë amerikane USAID nga vendi.
Sipas zyrtarit, shkurtimi i fondeve si pasojë e vendimit të kreut të shtetit e detyroi atë të ndërmerrte masa për të mbuluar shpenzimet. Ai tha se pasi arriti një marrëveshje me kultivuesit e gjetheve të kokës, çmimi i një liçence u ngrit nga 87 dollarë në 170.
Zoti Cutipa shtoi se të ardhurat shtesë, që arritën në mbi 500 mijë dollarë, u depozituan në llogari bankare zyrtare. Ai gjithashtu hodhi poshtë akuzat se dy motrat e tij ndihmuan në shitjen e 45 tonelatave gjethe.
Kjo nuk është hera e parë që një zyrtar i lartë në qeverinë Morales përfshihet në një skandal droge. Dy vjet më parë, shefi i policisë së anti-drogës, gjenerali Rene Sanabria, u dënua me 14 vjet burg nga një gjykatë në Majemi për trafik kokaine. Ai punonte si këshilltar për shërbimet inteligjente pranë qeverisë në kohën e arrestimit.
Bolivia është një nga tre vendet, bashkë me Kolumbinë dhe Perunë, ku kultivohen gjethet e kokës nga të cilat del kokaina që konsumohet në Shtetet e Bashkuara dhe Evropën perëndimore.
Top Channel