Ministria e Energjisë dhe Industrisë bëri të ditur ditën e hënë disa
emërime të reja në disa prej shoqërive aksionere dhe institucionet e
varësisë.

Në një njoftim të saj, ministria thekson se vendimi për emërimin e krerëve të këtyre institucioneve u mor në mbledhjen e Këshillave Mbikëqyrës përkatës. Disa prej emërimeve më të rëndësishme janë kreu i ri i KESH, i cili do të jetë Agron Hetoja, kreu i Kompanisë Albpetrol sh.a. do të jetë Endri Puka dhe kreu i OST, Ëngjell Zeqo.

“Pas mbledhjes së Këshillave Mbikëqyrës përkatës, janë kryer ndryshime në drejtimin e shoqërive aksionere sa më poshtë:

1.   Këshilli Mbikëqyrës i Koorporatës Elektroenergjitike (KESH) ka shkarkuar drejtorin aktual, duke emëruar në këtë detyrë Z. Agron Hetoja.

2.   Këshilli Mbikëqyrës i Kompanisë Albpetrol sh.a. ka shkarkuar nga detyra drejtorin aktual, duke emëruar në këtë detyrë Z. Endri Puka.

3.   Këshilli Mbikëqyrës i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) ka shkarkuar nga detyra drejtorin aktual, duke emëruar në këtë detyrë Z. Engjëll Zeqo.

Sakaq, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z.Damian Gjiknuri ka firmosur emërimet e drejtuesve të institucioneve të varësisë sa më poshtë:

1.   Z. Adrian Çela emërohet Kryeinspektor në Inspektoratin Qendror Teknik (IQT).

2.   Z. Viktor Doda emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH).

3.   Z. Rrapush Tola emërohet drejtues i Repartit Inspektim Shpëtim-Miniera (RISHM).

4.   Z. Dael Dervishi emërohet Drejtor i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN)”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë.

“Albpetrol”, reagon Partia Demokratike

Partia Demokratike reagoi pas emërimit të drejtorit të ri të Albpetrolit, zotit Endri Puka.

Nëpërmjet zëdhënësës Laura Vorpsi, PD-ja nënvizon se me këtë veprim, kryeministri Edi Rama “po vë asetet dhe pasuritë kombëtare në duart e klanit të tij privat”.

“Drejtori i ri i Albpetrolit është personi më i afërt dhe i besuar i Koço Kokëdhimës. Rama po shpërblen në këtë mënyrë mikun dhe ideologun e tij. Rama po qeveris për të shpërblyer miqtë dhe klientët e tij dhe kjo gjë u zbulua vetëm pas dy javë qeverisjeje.”

Sipas opozitës, emërimi i drejtorit të ri të Albpetrolit është në konflikt të pastër interesi, pasi Endri Puka, i cili deri më sot ishte administrator i firmave të zotit Kokëdhima, do të drejtojë një kompani me të cilën deputeti socialist ka marrëdhënie biznesi dhe debit-krediti.

Për Partinë Demokratike, ky emërim vërteton denoncimet e opozitës se modeli i vetëm me të cilin kryeministri Edi Rama di të qeverisë është mosrespektimi i ligjeve dhe shpërblimi i miqve dhe klientëve të tij me pasuritë e shqiptarëve.

Top Channel