Dosja “Dajti”, shtyhet sërish seanca

23/09/2013 00:00

Procesi gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, si një nga personat e dyshuar për
masakrën e Durrësit, ku mbetën të vrarë katër oficerë policie po
zvarritet pa fund.

Problemi kryesor për këtë proces ka qenë me avokatët, të cilët nuk pranojnë të marrin në mbrojtje të pandehurin Dajti. Edhe seanca e kësaj të hëne është shtyrë pikërisht për mungesë të avokatëve. Ata nuk kanë qenë të pranishëm në seancë dhe madje, as nuk kishin justifikuar mungesat e tyre.

Në këto kushte gjykata caktoi 2 avokatë të rinj për mbrojtjen e Dajtit dhe vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më 27 shtator.

Gjatë seancës pa avokatë Dajti kërkoi përjashtimin e trupit gjykues, duke hedhur akuza për njëanshmëri. “Për sa kohë nuk po bëni drejtësi, atëherë po më detyroni të hap ‘kutinë e Pandorës”, – deklaroi Dajti, një deklaratë kërcënuese kjo, të cilën i dyshuari për krimin e rëndë e ka pohuar edhe më parë.

Gjatë seancave të kaluara, Dritan Dajti hodhi akuza të forta ndaj Arjan Muçës, zyrtarit të lartë të policisë që drejtoi në 2009 operacionin për arrestimin e tij. Dajti u tha gjykatësve se bashkë me numrin e tij, Arjan Muça ka urdhëruar të përgjoheshin dhe zyrtarë të lartë të shtetit.

Top Channel