Arvizu: Gjyqësori, qendra e korrupsionit

23/09/2013 00:00

Ambasadori amerikan Alexander Arvizu është shprehur qartë përpara
drejtueseve të shtatë njësive rajonale të hetimit task forcë, se
Shqipëria ka një gjyqësor tejet të korruptuar.

“Problemi në Shqipëri është tejet serioz. Sipas “Transparency International”, që është një organizatë e respektuar, gjyqësori në Shqipëri është më pak i besuari. Më shumë se 80 për qind e shqiptarëve e shohin gjyqësorin si të korruptuar ose tejet të korruptuar”, tha Arvizu.

Ambasadori amerikan tha se korrupsioni në gjyqësor mund të minojë të gjithë sistemin e drejtësisë, e gjithashtu edhe besimin për sigurinë e publikut. Ai theksoi gjithashtu se korrupsioni publik do të ndalojë sipërmarrësit të investojnë.

Diplomati amerikan tha se Ambasada ka zhvilluar takime në ditet e fundit me Prokurorin e Përgjithshëm, gjyqtarë të rëndësishëm, ministrin e ri të Drejtësisë dhe atë të Brendshëm, për të diskutuar se si të luftohet ky korrupsion publik. Arvizu ishte i hapur, duke dhënë zgjidhje për rastin nëse një prokuror do të gjendet nën presion.

“Diçka që kam mësuar për Shqipërinë është se ajo është një fshat, ku të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Të paktën kështu e kanë thënë, që zyra rajonale mund të ndjejë presion në hetimin e një personi të fuqishëm në atë zonë, por zyra e një njësie tjetër hetimore mund ta referojë atë në një vendndodhje tjetër, që është më e lirë nga ajo trysni”, tha Arvizu.

Ndërsa Prokurori i Pergjithshëm, Adriatik Llalla ka kërkuar më shumë angazim të këtyre njësive.
Kreu i hetimit shqiptar tha se të gjithë drejtuesve të rinj në Prokurori
u ka lënë porosi për hetime të përbashkëta proaktive kundër
korrupsionit. 

“Rezervoj të drejtën të kërkoj prej tyre, atë që me të drejtë kërkon gjithë opinioni publik, më shumë angazhim nga këto struktura, më saktësisht kërkoj maksimumin prej tyre dhe gjatë mandatit tim do të kontrolloj në mënyrë të vazhdueshme rezultatet e tyre konkrete”, tha Llalla.

MD ndryshon portalin e ankesave
Pas deklaratës së Arvizut zgjerohet aksesi për denoncimet

Pak orë pas deklaratave të ambasadorit amerikan Alexander Arvizu, Ministria e Drejtësisë lançoi portalin e ndryshuar të ankesave online “Stop korrupsionit në Drejtësi”. Ministria e Drejtësisë thotë se në kuadër të nismës anti-korrupsion ka përfunduar puna mbi një nga nismat më të rëndësishme, siç është aksesi i publikut në denoncimin e korrupsionit.

Në mënyrë që monitorimi i sistemit të drejtësisë të jetë sa më transparent, portali i Ankesave Online tashmë vjen i ndryshuar dhe më i efiçent. Ky projekt, që deri më sot ka patur si qëllim denoncimin e rasteve të shkeljeve vetëm ndaj gjyqtarëve në të gjitha shkallët e gjyqësorit, tashmë zgjeron fushën e ankesave deri tek çdo nënpunës që ushtron detyrën në:

Zyrat e përmbarimit shtetëror ose privat, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe institucionet e ekzekutimit të dënimeve penale, Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Shërbimin e Provës, Noterin, Avokaturën e Shtetit dhe zyrat vendore, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Shtetëror të Ndihmës Juridike, Komitetin Shqiptar të Birësimit, Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Qendrën e Botimeve Zyrtare, Agjencinë e Mbikqyrjes së Falimentit dhe administratorëve të falimentit.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, portali i mëparshëm nuk ka dhënë efektet e duhura, pasi ka qenë i fokusuar vetëm tek gjyqtarët. Ministria fton të gjithë qytetarët që të postojnë foto, video dhe rastet e tyre, duke u garantuar për ruajtjen e privatësisë.

Top Channel